Peci shkarkon këshilltarin e tij

  • A.P /
  • 14 July 2023 - 15:14
Peci shkarkon këshilltarin e tij

Këshilltarin e tij, Hysen Muzliukaj, ministri i Bujqësisë, Faton Peci do ta lirojë sot nga detyra, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Këshilltari do të largohet deri sa drejtësi të thotë fjalën e fundit për këtë rast” ka thënë Flutura Mustafa për Indeksonline, shefe e kabinetit të ministrit Peci.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se policia ka realizuar sot bastisje në pronat e Faruk Mujkës, Kryeshef i “Ibër-Lepencit” dhe Hysen Muzliukajt, këshilltar i ministrit Faton Peci.

Ata dyshohen për korrupsion në kohën kur ishin pjesë e qeverisjes së Agim Bahtirit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës.

“Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot është lëshuar Urdhëresa për bastisje nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, në dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve me inicialet F.M. dhe H.M.

Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

(Kosova Sot Online)