Raportohet për kolona të gjata në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

  • A.P /
  • 04 August 2023 - 19:20
Raportohet për kolona të gjata në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, e ku thuajse çdo ditë po krijohen kolona të gjata, Policia e Kosovës ka shtuar masat për mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kjo sipas policisë është bërë me qëllim të parandalimit të aksidenteve.

“Duke marrë parasysh fluksin e shtuar të automjeteve në trafik ditëve të fundit, ku rrjedha  e trafikut po zhvillohet me e ngadalësuar dhe si rrjedhojë po krijohen kolona të gjata sidomos në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, referuar kësaj gjendje në kuadër të Planit Operativ ,,Sezoni veror 2023”, Drejtoria Rajonale e Policisë  në Mitrovicën e Jugut po vazhdon  me masa të shtuara për  mbarëvajtjen dhe kontrollin e trafikut me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të aksidenteve dhe reduktimin e kolonave në rrugë”, thuhet në njoftim.

Policia poashtu ka bërë të ditur se kanë shtuar patrulla në udhëkryqe, rrethrrotullime dhe segmente të caktuara rrugore.

“Në këto rrethana, me qëllim të rrjedhjes normale të trafikut  në ditët në vijim prezenca policore përpos njësive të trafikut do të ketë njësi shtesë nga angazhuara të cilat do të jenë të pranishme në udhëkryqe, rreth-rrotullime si dhe segmente të caktuara rrugore për kontrolle dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Në kuadër të këtyre angazhimeve të shtuara njësitë policore po ndërmarrin veprimet e parapara ligjore duke mos përjashtuar gjobat ndaj kundërvajtësve të cilët nuk iu përmbahen rregullave dhe rrezikojnë pjesëmarrësit në trafik. Në 24 orët e fundit janë shqiptuar 147 gjoba të ndryshme, përfshirë kundërvajtje pa patentë shofer, pa regjistrim te automjetit, ngasje nën ndikim”alkooli, përdorim i telefonit gjatë ngasjes etj”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)