Gërvalla: Jemi përqendruar te pesëshja skeptike e BE-së

  • A.P /
  • 14 August 2023 - 22:46
Gërvalla: Jemi përqendruar te pesëshja skeptike e BE-së

Për punën e Ministrisë së Jashtme në drejtim të sigurimit të njohjeve të reja, ka folur kryediplomatja Donika Gërvalla, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Gërvalla ka thënë se ka lëvizje nga disa shtete, por se nuk po i bëjnë publike këto zhvillime shkaku i fushatës së Serbisë dhe Rusisë kundër njohjeve.

“Ne e dimë se sa agresive është fushata e Serbisë por edhe e Rusisë për të penguar njohje të reja dhe për të krijuar çnjohje të Kosovës nga shtete të ndryshme. Prandaj, ne, asnjë prej shteteve me të cilat bisedojmë nuk e vëmë publikisht para sfidave të tilla por ka lëvizje të shumta me shumë shtete”, deklaroi ajo

Gërvalla tha se janë përqendruar në 5 shtetet skeptike të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, derisa ka përmendur edhe punën që po bëhet në anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

“Ne jemi përqendruar kryesisht te pesë shtetet e BE-së sepse mendojmë që ato nëse nuk realizohen do të kthehen në një sfidë serioze për rrugën euroatlantike të Kosovës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk duhet të kthehet vetëm në një çështje formale, të prestigjit por duhet të jetë një çështje e cila duhet të shihet dobia në secilën organizatë. Ne kemi aplikuar në maj të vitit të kaluar për Këshill të Evropës, në ndërkohë kemi kaluar fazën e parë, pra një prej dy fazave i kemi kaluar. Tani ndodhet çështja në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku ka përkrahje shumë të madhe për Kosovën”, u shpreh Gërvalla. 

(Kosova Sot Online)