Asamblisti i Vetëvendosjes e mbështet idenë e narko-testit për të gjithë zyrtarët e institucioneve

  • A.P /
  • 16 August 2023 - 18:51
Asamblisti i Vetëvendosjes e mbështet idenë e narko-testit për të gjithë zyrtarët e institucioneve

Gëzim Sveçla, Kryetar i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, u shpreh i gatshëm që të bëhet testi i përdorimit të narkotikëve për të gjithë zyrtarët e institucioneve, pasi sipas tij edhe qytetarët do ta dinin se kush janë përfaqësuesit e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Si koncept mua po më pëlqen. Nuk e di a ekziston baza ligjore për një veprim të tillë, por edhe nëse nuk ekziston dhe nëse ka interes, kjo mund të arrihet. Pse mos të bëhet, që qytetarët ta kuptojnë se kush janë përfaqësuesit e tyre, qoftë në institucionet qendrore, qoftë në ato komunale”, ka thënë Sveçla

Ndërsa Safet Blakaj, nga instituti “Labirint”, shprehet skeptik se narko – testi mund të sjellë rezultate. Sipas tij, instrumenti më i mirë është efekti që gjithsecili ofron në punën e vet.

“A duhet të bëhet? Nuk jam i sigurtë. Shumë shtete nuk e praktikojnë, pasi hapet rruga që gjithkush gjithkujt t’ja bëjë testin. Por, ne mundemi ndryshe ta bëjmë. P.sh, nëse dikush shkel vazhdimisht rregullat e punës, përmes kësaj mund t’a degradojmë ose shkarkojmë nga puna. E them këtë sepse, ndoshta dikush e kryen punën mirë, por e përdor drogën. Ndoshta dikush nuk e kryen punën mirë dhe nuk e përdor drogën. Mendoj se instrumenti më i mirë për këtë matje është efikasiteti në punë” ka thënë Blakaj

Përdorimi i substancave narkotike, por edhe kultivimi e trafikimi i tyre, viteve të fundit ka shënuar rritje të madhe në Kosovë.

(Kosova Sot Online)