Presidentja Osmani udhëton drejt Brukselit

  • A.P /
  • 06 September 2023 - 16:21
Presidentja Osmani udhëton drejt Brukselit

Në Bruksel për vizitë zyrtare, respektivisht në selinë e NATO’s, ka udhëtuar presidentja Vjosa Osmani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani nesër në orën 14:00 do të pritet të pritet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të realizojë takim bilateral.

Pas përfundimit të takimit, Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg do t’i adresohen gazetarëve në një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë vizitës zyrtare në NATO, Presidentja do të ketë takim edhe me Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer.

Osmani do të realizojë takime edhe me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith si dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

 “Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

Para nisjes për në Bruksel, Osmani ka takuar Komandantin e FSK’së, Bashkim Jasharin.

(Kosova Sot Online)