Mujku del me reagim pas arrestimeve në komunën e Prishtinës

  • A.P /
  • 10 September 2023 - 18:00
Mujku del me reagim pas arrestimeve në komunën e Prishtinës

Me reagim publik pasi u arrestua të premtën nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka dalë sot drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online"..

Mujku tha se individë të caktuar po tentojnë të njollosin imazhin e tij.

“Ajo çfarë është publikuar në medie këto dy ditë, është vetëm tentim i qëllimshëm për njëllosje nga individë të caktuar. Sot do të kursehem e do të mjaftohem duke thënë se e drejta për tu hetuar secili është e padiskutueshme dhe do ta përkrahi deri në momentin e fundit”

Ai tha se është tërësisht i pafajshëm nga akuzat për keqpërdorim të pozitës.

“Dua të ju siguroj se shërbimi im ndaj vendit ka qenë dhe do të jetë maksimal. Përderisa për ato që është shkruar, mund të them se jam i pastërt si loti, për çka fjalën e fundit do ta thotë drejtësia. Vullneti, tentimi apo fuqia ime për të ndikuar në drejtësi është zero”, ka shkruar Mujku në Facebook.

Ndryshe, të premtën nga policia u ndaluan tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Nën dyshimin se keqpërdorën detyrat zyrtare, prangat iu vendosën shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu- Hereticës, ish-drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Vebi Mujkut si dhe shefes së Njësisë së Shërbimeve Sociale,Valbona Makiqit.

(Kosova Sot Online)