Osmani - boshnjakëve: Ratifikojini Marrëveshjet e Procesit të Berlinit

  • A.P /
  • 11 September 2023 - 17:53
Osmani - boshnjakëve: Ratifikojini Marrëveshjet e Procesit të Berlinit

Ratifikimin e Marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Denis Beqiroviq,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Këto marrëveshje, Osmani tha në Shkup se e lehtësojnë komunikimin dhe rrisin shkëmbimet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në takimin me dy përfaqësuesit boshnjakë, Osmani tha se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është “domosdoshmëri”.

“Presidentja Osmani ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjeve nga ana e autoriteteve të BeH është, përveç një obligigm edhe domosdoshmëri që do ta ndihmojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy shteteve që do t’i kontribuonte rritjes së komunikimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy popujve”, njoftoi Presidenca.

Osmani tha se “Kuvendi i Kosovës dhe katër shtetet e rajonit kanë ratifikuar marrëveshjet e Procesit të Berlinit, njëra nga të cilat parasheh lëvizjen vetëm me letërnjoftime me Bosnjën dhe Hercegovinën, ndaj është radha që të njëjtin veprim ta bëj edhe BeH-ja”.

“Po ashtu, Presidentja Osmani vlerësoi se lidhja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve do t`i shtonte mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat e interesit te dyanshëm”, njoftoi Presidenca.

“Presidentja Osmani ka theksuar se arritja e vizionit të përbashkët  e të dy shteteve për të qenë pjesë e familjes euroatlantike do t`i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë të rajonit”, u tha tutje në komunikatën e Presidencës.

(Kosova Sot Online)