Gjykimi për krime lufte, dëshmitari thotë se nuk e njihte as të akuzuarin dhe as të dëmtuarin

  • S.A /
  • 13 September 2023 - 12:51
Gjykimi për krime lufte, dëshmitari thotë se nuk e njihte as të akuzuarin dhe as të dëmtuarin

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Arsim Krasniqi tha se nuk e njihte as të akuzuarin Dushko Arsic, e as të dëmtuarin A.K, transmeton "Kosova Sot Online ".

Këtë deklarim, dëshmitari Krasniqi e bëri gjatë dhënies së dëshmisë se tij në gjykimin ku i akuzuari Arsic po ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht dëshmitari Krasniqi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli tha se në vitin 1998-1999 kishte qenë diku rreth 13-vjeçar dhe se gjatë asaj periudhe kishin jetuar në Kolovicë së bashku me familje.

I njëjti tha se 3 muaj para përfundimit të luftës ai së bashku me familje ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre nga serbet e Kolovices, ku sipas dëshmitarit i kishte njohur ata persona për shkak se kishin qenë fqinj të tyre dhe se të njëjtit kishin qenë të uniformuar, dhe të armatosur.

Dëshmitari Krasniqi tha se gjyshin e tij ia kishin rrahur po atë ditë dhe i kishin dëbuar për shkak se kishte rezistuar dhe nuk kishte dashur të dilte nga shtëpia , duke shtuar se pjesëtarët që i kishin dëbuar kishin qenë Bobani, Ivani, Pexha, Sveta, edhe Cubi.

Sipas dëshmitarit ata më pas kishin shkuar në Butovc dhe se aty kishin qëndruar rreth 2-3 javë dhe se aty kishte dëgjuar nga dikush se po vinin serbët e fshatit Zllatar, Dushko dhe Zorani por që ai nuk i kishte parë ata.

I njëjti shtoi se pasi që kishin dëgjuar të shtëna të armëve ishin larguar nga aty në drejtim të Prishtinës dhe më pas ishin larguar për në Maqedoni.

Ndërsa në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar A.K, avokatit Arsim Krasniqi, dëshmitari Krasniqi tha se nuk kishte dëgjuar për të dëmtuarin A.K që kishte pasur maltretime.

Kurse në pyetjet e të dëmtuarit A.K i njëjti tha se në mesin e serbeve që i kishin dëbuar kishte pasur edhe persona civil, me shamia me maska të cilët po ashtu kishin qenë të armatosur.

Në këtë seancë mungoi edhe dëshmitari Gani Krasniqi të cilit i kishte mbetur dëshmia në gjysmë për arsye shëndetësore dhe një mungesë të tillë i dëmtuari A.K e arsyetoi duke dorëzuar dokumentacionin mjekësor.

Lidhur me dëgjimin e dëshmitarit Krasniqi prokurorja Shamolli propozoi që të njëjtin ta dëgjojnë përmes video-linkut apo në një formë tjetër.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Arsic, avokati Nebojsha Vllajiç tha se e kishin parë që ishte keq me shëndet por që sipas tij, dëshmitarin Gani, e kishte parë një ditë tek ndërtesa e gjykatës pas seancës por i njëjti nuk ishte futur në sallë.

Një pretendim i avokatit Vllajiç, u kundërshtua nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar pasi që sipas tij që nga seanca që ishte dëgjuar dëshmitari Gani dhe ishte përkeqësuar nuk kishte ardhur më.

Në fund edhe i akuzuari Arsic tha se duhej të dëgjohej dëshmitari Gani, dhe shtoi që të mos harrohej që edhe ai kishte probleme shëndetësore.

Në këtë seancë ishte e paraparë të dëgjohej edhe dëshmitarja Emiljana Arsic për të cilën kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili tha se të njëjtën nuk kishin mundur ta ftonin për shkak se nuk e dinin adresën e saktë të saj.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Arsic, avokati Vllajiç tha se do të tentonte të siguronte adresën e të njëjtës edhe pse ishte dëshmitare e prokurorisë.

Në këto rrethana seanca u ndërpre ndërsa të radhës pritet të mbahen më 21 dhe 24 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsic në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsicin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

Arsic akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Ndërkaq, në dispozitivin e dytë, thuhet se i akuzuari Arsic më 20 prill të vitit 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, fillimisht e ka ndaluar të dëmtuarin A.K., në atë kohë i moshës 15 vjeçare.

Sipas aktakuzës, Arsic bashkë me paramilitarë tjerë serbë, të veshur me bluzë të zezë lartë, pantallona ushtarake, shami në kokë, të cilët kanë pasur një emblemë me kryq me shkronjat “CCCC”, fillimisht i kanë urdhëruar A.K ta heq çantën të cilën e ka pasur në shpinë, e më pas i akuzuari Arsic  i ka shkuar nga pas shpinës dhe e ka goditur me tytën e automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

Në aktakuzë thuhet se si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari ka rënë menjëherë në tokë, me fytyrë nga livadhi, e kështu të njëjtit vazhdojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë, në aspektin fizik dhe psiqik.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se më pas është shkrepur arma automatike si pasojë e së cilës e sheh rrëzuar në tokë një person, e që më vonë e kishte kuptuar se bëhet fjalë për të ndjerin B.Sh. nga fshati Trudë. Pas kësaj, thuhet se i akuzuari Arsic i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët “përpara nënën ja …., shiko ky terroristi”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, dy ushtarë tjerë që ishin në afërsi të të plagosurit B., njëri prej tyre i është drejtuar të akuzuarit Arsic me fjalët “mos e vrit, ky është i gjymtuar, edhe ti ke vëlla të gjymtuar”, e në ato momente i dëmtuari A.K., i ka vërejtur edhe dy persona tjerë të nacionalitetit serbë, të quajtur Dragan Niçiç dhe Boban dhe pas një bisede i ka pyetur të njëjtit “pse bre koshi kjo kështu”, Bobani i ishte përgjigjur “kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji”. Kurse, Dragan Niçiç i ishte drejtuar në gjuhën shqipe “kape për duar këtë terrorist dhe shko tregoju terroristëve tjerë se çfarë ka me ju gjet”, e që për shkak të këtyre veprimeve i dëmtuari A.K. i vuan pasojat edhe sot e asaj dite në aspektin fizik dhe psiqik.

Me këtë, Arsic akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

(Kosova Sot Online )