Barbano kërkon drejtësi për pjesëtarin e EULEX të vrarë

  • A.P /
  • 19 September 2023 - 16:51
Barbano kërkon drejtësi për pjesëtarin e EULEX të vrarë

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, bashkë me drejtorin e Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë nderuar sot doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra në krye të detyrës 10  vjet më parë në Mitrovicë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij”, ka shkruar ai, derisa ka publikuar fotografitë nga vendosja e luleve në vendin ku ra ai.

Barbano e theksoi se krimi ende s’është zbardhur dhe se autorët nuk janë mbajtur përgjegjës.

“Një dekadë më vonë, ky krim mbetet i pazbardhur dhe autorët nuk janë mbajtur para përgjegjësisë. Audrius dhe familja e tij meritojnë drejtësi. EULEX-i dhe BE-ja presin drejtësi. Kosova dhe rajoni kanë nevojë për drejtësi”.

Shefi i EULEX po ashtu tha se kjo ceremoni përkujtimore duhet të shërbejë edhe si kujtesë për pasojat kur s’ka stabilitet në rajon.

“Na kujtoftë kjo ceremoni edhe për pasojat e paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në rajon dhe për urgjencën për t’u ripërkushtuar ndaj kauzës së pajtimit dhe sundimit të ligjit, si mënyra më e mirë për të nderuar sakrificën përfundimtare të kolegut tonë Audrius”.

(Kosova Sot Online)