Aktpadi për korrupsion ndaj senatorit Robert Menendez

  • A.P /
  • 22 September 2023 - 16:32
Aktpadi për korrupsion ndaj senatorit Robert Menendez

Senatori demokrat nga Nju Xhersi Robert Menendez dhe bashkëshortja e tij janë akuzuar nga prokuroria e Manhatanit për marrje ryshfeti. Aktakuza lidhet me marrëdhëniet e tyre të dyshuar korruptive, me tre biznesmenë të Nju Xhersit, thanë prokurorët federalë të premten, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas zyrës së Prokurorit të Manhatanit, senatori dhe bashkëshortja e tij, akuzohen se kishin pranuar me mijëra dollarë në formë ryshfeti, në këmbim të përdorimit të pushtetit dhe ndikimit të zotit Menendez si senator, për t’u ofruar mbrojtje, si dhe përfitime biznesmenëve dhe qeverisë së Egjiptit.

Prokurorët thanë se ryshfetet përfshinin para, flori, pagesa për një kredi për shtëpi, kompensim për një punë me kërkesa minimale, një automjet luksoz dhe sende të tjera me vlerë.

Zoti Menendez dhe bashkëshortja e tij përballen me nga tre akuza penale secili.

Zoti Menendez, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ishte akuzuar më parë në Nju Xhersi për përfitime në formën e udhëtimeve private me avion, kontribute për fushatën e ryshfe të tjera nga një mbështetës i tij i pasur, në këmbim të favoreve zyrtare. Por në vitin 2017, gjyqi ndaj tij përfundoi pa vendim, pasi juria nuk arriti të binte dakort nëse ai ishte ose jo i fajshëm.

(Kosova Sot Online)