Hoxha jep detaje se a mund të shpallet Lista Serbe terroriste

  • A.P /
  • 27 September 2023 - 18:00
Hoxha jep detaje se a mund të shpallet Lista Serbe terroriste

Rreth mundësisë që Lista Serbe të shpallet terroriste pas përfshirjes së nënkryetarit Milan Radojiçiq, ka folur ish kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka thënë se në Radojiçiq është zgjedhur nënkryetar pasi janë hapur hetimet ndaj tij

“Sa i përket çështjes se a duhet Lista Serbe të shpallet terroriste apo jo, edhe atë do ta vërtetojnë hetimet së shpejti besoj unë dhe organet kompetente do të duhej të ndërmerrnin ndonjë veprim konkret ngase sa jam në dijeni unë zotëriu që i ka pri këtij aksioni, Milan Radojiçiq, është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pasi ne, unë konkretisht në atë kohë, në vitin 2018, i kam hapur hetimet ndaj tij dhe siç dihet është lëshuar një urdhër arrest nga ana e gjykatës për ta sjellë të njëjtin para organeve të drejtësisë”, tha Hoxha.

Ai ka thënë se heqja e fletëarrestit ka qenë një gabim ose “lëshim i madh nga ana e organeve tona”.

“Këtu kemi të bëjmë me një njeri që i ka pri krimit të organizuar me vite të tëra në pjesën veriore të Kosovës dhe ky person të caktohet nënkryetar i një partie politike me të vërtetë do të thotë shumë cka për organet tona. Dhe sigurisht që KQZ dhe institucionet tjera duhet të kenë kujdes në këtë rast sepse me çfarë partie politike kanë të bëjnë”, ka deklaruar ai.

Hoxha ka thënë se duhet të lëshohet prapë fletëarrest ndaj tij.

“Sigurisht. Prokurori veç besoj unë që i ka ndërmarrë ato veprime ose do t’i ndërmarrë së shpejti. I obligon ligji që ai njeri duhet të sillet para drejtësisë për veprimet që i ka marrë të dielën”, tha ai.

“Është pak e vështirë për këta persona që dyshohet që kanë dalë jashtë Kosovës, që janë në Novi Pazar, duke pasur parasysh kryeneçësinë e shtetit serb që nuk ka asnjë bashkëpunim as me neve as me komunitetin ndërkombëtar”, tha ai.

Mirëpo nëse Radojiçiq dhe të dyshuarit tjerë që ndodhen në Serbi dalin jashtë këtij shteti, Hoxha thotë se mund të sillen në Kosovë pasi ka shtete me të cilat Kosova ka bashkëpunim juridik ndërkombëtar.

“Nëse dalin jashtë territorit të Serbisë është çështje tjetër, dhe është e mirëseardhur për organet tona të ndjekjes sepse shtetet me të cilat kemi bashkëpunim juridik ndërkombëtar ato sigurisht që do ta kryejnë punën e vet dhe këta persona do të sillen para organeve tona të drejtësisë”, tha ai.

Ai tregoi se pse nuk kanë arritur ta arrestojnë Radojiçiqin para disa vitesh.

“Edhe neve na ka rrjedh një informacion dhe në ditën kur kanë shku organet tona të ndjekjes, Policia e Kosovës, i njëjti nuk është hasur në banesën e tij. Kjo ka qenë arsyeja. Pastaj ai është larguar në Serbi dhe ne e kemi pasur të pamundur ta arrestojmë”, tha Hoxha.

Hoxha tha se nuk e di se nga kush ka rrjedhur informacioni, por ai thotë se është për keqardhje. 


(Kosova Sot Online)