Pse qeveria amerikane rrezikon të mbyllet?

  • A.P /
  • 29 September 2023 - 16:02
Pse qeveria amerikane rrezikon të mbyllet?

Mbyllja e qeverisë amerikane të dielën duket e pashmangshme, ndërsa Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve vazhdojnë të mos bien dakord mbi buxhetin federal për 12 muajt e ardhshëm, ndihmën për Ukrainën, kontrollin e emigracionitë të paligjshëm në kufirin SHBA-Meksikë dhe programet e sociale në ndihmë të amerikanëve të varfër, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Senati, që kontrollohet nga demokratët, po punon për një plan financimi 7-javor, që do të mbante hapur qeverinë deri në mes të muajit nëntor, duke u dhënë më shumë kohë ligjvënësve për të hartuar një buxhet të plotë për vitin e ardhshëm financiar, që fillon më 1 tetor.

Megjithatë, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, Kevin McCarthy, ka refuzuar që plani i Senatit të hidhet për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.

Nga ana tjetër, Dhoma e Përfaqësuesve votoi të enjten vonë për buxhetin e katër 4 agjencive qeveritare.

Shanset janë të pakta që projekltligjet të miratohen në Senat, megjithatë, kjo nuk do të shmangte mbylljen e qeverisë në mesnatën e së shtunës, për ato veprimtari të qeverisë që nuk konsiderohen si thelbësore.

Agjencitë qeveritare njoftuan të enjten në mëngjes punonjësit e tyre se me gjasë mbyllja e pjesshme e qeverisë do të ndodhë.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje për një buxhet të përkohshëm, atëherë më shumë se 4 milionë punonjës të qeverisë dhe pjesëtarë të shërbimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara, nuk do të paguheshin, edhe pse punonjës në shërbime thelbësore që lidhen me trafikun ajror dhe kontrollin e kufijeve do të vazhdonin të qëndronin në punë.

Pensionistët mund të mos marrin në kohë pensionet e tyre për të paguar faturat, apo për të blerë ushqime.

Në muajin maj, zoti McCarthy arriti një marrëveshje me Presidentin demokrat Joe Biden mbi nivelin e shpenzimeve për vitin fiskal 2024 dhe për rritjen e tavanit të huamarrjes, por republikanët e vijës së ashpër e kundërshtojnë marrëveshjen dhe tani kërkojnë shkurtime më të thella të shpenzimeve të agjencive qeveritare.

Gazeta “The Washington Post” njoftoi të enjten, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, se një grup republikanësh të vijës se ashpër, po planifikojnë në mënyrë sekrete ta largojnë zotin McCarthy nga posti i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ta zëvendësojë atë me një nga aleatët e tij, ligjvënësin Tom Emmer.

(Kosova Sot Online)