Putin: Perëndimi ka mungesë vullneti për kompromis

  • A.P /
  • 05 October 2023 - 22:00
Putin: Perëndimi ka mungesë vullneti për kompromis

Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Perëndimi kishte humbur lidhjen me realitetin për luftën në Ukrainë. Ai paralajmëroi se nëse udhëheqësit perëndimor kanë harruar se si të bëjnë kompromis, atëherë bota do të duhej të shihte se ku të çon një arrogancë e tillë, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Putin akuzoi Perëndimin për nxitjen e konfliktit në Ukrainë, të cilën ai e vlerëson si pjesë të një lufte shumë më të madhe midis Rusisë dhe një Perëndimi arrogant.

“Bashkëbiseduesit tanë në Perëndim duket se kanë harruar plotësisht se ekzistojnë koncepte si vetëpërmbajtja e arsyeshme, kompromisi, gatishmëria për të hequr dorë prej një gjëje për të arritur një rezultat të pranueshëm për të gjithë”, tha Presidenti Putin.

“Ata janë padyshim të fiksuar pas vetëm një gjëje, të realizojnë interesat e tyre me çdo kusht. Nëse kjo është zgjedhja e tyre, le të shohim se çfarë do të vijë prej saj”, tha zoti Putin në një takim të Klubit të Diskutimit Valdai në Soçi të Rusisë.

Gjatë fjalimit të tij, Presidenti Putin gjithashtu njoftoi se Rusia ka realizuar me sukses provat me një raketë që funksionon me energji bërthamore, ndërsa paralajmëroi se vendi i tij mund të anulojë ratifikimin e traktatit për ndalimin e provave bërthamore.

“Bëmë me sukses provën e fundit të raketës vetëlëvizëse me rreze globale Burevestnik, që ushqehet me energji bërthamore”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme. Kjo është hera e parë që njoftohet dalja me sukses e provave për raketën Burevestnik, për të cilën presidenti rus pati folur për herë të parë në vitin 2018.

Nuk ekziston shumë informacion për raketën Burevestnik, të cilës NATO i ka vënë emrin e koduar “Skyfall”. Shumë ekspertë perëndimorë janë treguar skeptikë për këtë raketë, pasi thonë se një motor bërthamor do të ishte shumë i paqëndrueshëm.

Mendohet se kjo lloj rakete mund të mbartë mbushje bërthamore apo konvencionale, se mund të qëndrojë në ajër më gjatë se raketat e tjera, dhe se mund të përshkojë distanca më të mëdha falë motorit të saj bërthamor.

Kur Presidenti Putin bëri të ditur për herë të parë se Rusia po punonte për këtë raketë në fjalimin e tij në vitin 2018, ai pretendoi se raketa do të kishte një rreze të pakufizuar, duke i mundësuar asaj të qarkullonte mbi mbarë globin, e padiktuar nga sistemet e mbrojtjes ndaj raketave.

Shumë vëzhgues kanë mbetur skeptikë, duke argumentuar se një armë e tillë do të ishte e vështirë për t’u menaxhuar dhe do të përbënte një kërcënim mjedisor. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik punuan me motorët e raketave me energji bërthamore gjatë Luftës së Ftohtë, por përfundimisht i anuluan projektet, duke i konsideruar ato shumë të rrezikshme.

Raketa Burevestnik mendohet se pësoi një shpërthim në gusht 2019 gjatë provave të marinës ruse në Detin e Bardhë, duke vrarë pesë inxhinierë bërthamorë dhe dy ushtarakë dhe duke rezultuar në një rritje afatshkurtër të radioaktivitetit që shkaktoi frikë në një qytet aty pranë.

Zyrtarët rusë nuk e identifikuan kurrë armën e përfshirë, por Shtetet e Bashkuara thanë se ishte raketa Burevestnik.

Rusia thuhet se ka përdorur vendin ku Bashkimi Sovjetik bëri provën e fundit me armë bërthamore, arkipelagun arktik “Novaya Zemlya”, për të ndërtuar objekte për të bëra provat për raketën Burevestnik.

(Kosova Sot Online)