Makth nga çimkat: Insekte të dëmshme shumë rezistente

  • E.K /
  • 07 October 2023 - 15:00
Makth nga çimkat: Insekte të dëmshme shumë rezistente

Një vit para zhvillimit të Lojërave Olimpike, Parisi po lufton kundër epidemisë së çimkave. Por këto insekte është e vështirë t’i luftosh. Të njëjtën përvojë ka pasur edhe autorja e DW që shkroi këtë artikull.

Një nga gjërat më të këqija që shkaktojnë çimkat, dhe ata që nuk e kanë provuar ndonjëherë nuk e dinë, është paniku që shkaktojnë dhe që zgjat me vite të tëra edhe pasi ke shpëtuar prej tyre. A është pickimi i tyre i ndryshëm nga pickimi tipik i mushkonjave? Kur sheh një pickim mund të thuash pa problem që është pickim çimke! Po kur sheh një varg pickimesh rreshtuar njeri pas tjetrit? Edhe atëherë mund të thuash që është pickim çimke! A keni gjetur ndonjëherë në dyshemenë e banesës një insekt që nuk e dini çfarë insekti është? Pikërisht – ai mund të jetë çimkë! 

Njeriu bëhet paranojak. Më besoni, unë e di mirë për çfarë po flas. Disa ditë pas kthimit nga një pushim që kalova në Rumani në verë të vitit 2016, unë pashë që kisha në lëkurë gunga që më kruheshin shumë. Kur shkova tek mjeku mësova se ishte tamam ajo prej së cilës kisha frikë se kish ndodhur, më kishin zënë çimkat. 

Ky lloj paraziti ka qenë i përhapur në shekullin e 20-të, pastaj u zhduk për disa dekada. Dhe që nga fundi i viteve nëntëdhjetë, çmikat janë kthyer sërish. Ato gjenden kudo, jo vetëm në hotelet e lira e të papastra, por edhe në hotelet me apartamente luksoze e të shtrenjta, gjenden në mobiljet e përdorura që blihen në eBay, gjenden në valizhet që ndodhen pranë valizheve tuaja në bagazhet e avionëve. Dhe prej andej ato kalojnë në banesë. 

Kujdes nga çimkat që infektojnë krevatet

“Ka të dhëna që tregojnë se numri i çimkave është rritur shumë dhjetë vitet e fundit,” thotë Heather Lynch, studiuese në fushën e punës sociale në Universitetin Caledonian të Glasgout. Lynch merret me çimkat, në kuadër të një projekti studimor.  

Claudia Kasig nga firma JamiroTec, që merret me luftimin e insekteve të dëmshme, e di që numri i çimkave është rritur vitet e fundit nga 4000 në 6000 përqind. Nuk jemi duke bërë ndonjë gabim, shifrat janë vërtet kaq të larta – 4000 deri 6000 përqind! 

Lynch thotë, se ka shumë arsye pse çimkat janë ringjallur. Udhëtimet e shumta, janë një nga arsyet, kur njerëzit fluturojnë me avionë, kalojnë natën në hotele dhe kështu përhapin çimka. Studiuesja paralajmëron edhe nga rreziqet që vijnë prej kthimit imun të çimkave ndaj kimikateve që përdoren për t’i luftuar ato. 

“Super-çimka” i quan Lynch parazitët rezistentë. Superçimka. Ato do më dalin mua në gjumë sonte. 

Dhe ju jeni duke u kruajtur? Atëherë pyesni si mund ta dini nëse ju kanë zënë apo jo çimkat. Vetë pickimet, puçrat e ngritura që ndodhen në një linjë në lëkurë, janë dëshmia e qartë se ju kanë zënë çimkat. Por ju mund të gjeni në çarçaf edhe pika gjaku dhe njolla të vogla të zeza. Gjaku vjen nga pickimet, pikat e zeza janë jashtëqitja e çimkave, pasi ju kanë pickuar juve mirë e mirë. Tingëllon e pështirë, por për fat të keq kështu ndodh. 

Ndërroni çarçafët dhe kontrolloni dyshekun. Ngrijeni dyshekun dhe kontrollojeni nga poshtë, sepse aty ndodhen me siguri buburrecat ovalë, ngjyrë kafe, vetëm disa milimetra të gjatë.  

Gjetët ndonjë? Sa keq. E vetma gjë që mund të të ndihmojë në këtë rast është të marrësh në telefon shfarosësin e insekteve të dëmshme. Sepse është pothuajse e pamundur t’i luftosh çimkat vetë. Banorët e banesave me qira në Glasgou, të cilët janë intervistuar nga Lynch kanë disa gjëra për të thënë për këtë, por për këtë do të flasim më vonë. 

“Shumë e vështirë t’i kapësh ” 

Dhe çfarë bëjnë tamam shfarosësit e insekteve të dëmshme, për të çliruar banesën tuaj nga shpirtërat e veckël torturues? Jo të gjithë eskpertët e spërkasin me helm banesën në gjithë sipërfaqen e saj. 

“Ajo që bëjmë ne është sjellja e pajisjeve dhe nxehja e shtëpisë së klientit në temperatura nga 60 në 70 grad Celsius”, shpjegon Kasig. Ajo është përfaqësuese zyrtare e firmës JamiroTec, një firmë që merret me luftimin e insekteve të dëmshme me qendër në Bremen. “Kjo temperaturë shkakton rritjen e temperatures të çimkave deri në 48 gradë. Kështu bllokohet prodhimi i proteinave dhe çimkat ngordhin.”

Por edhe tek kjo metodë përdoret pak helm. Helmi hidhet në rrugët prej ku mund të largohen çimkat, në mënyrë që sa më pak prej tyre të shpëtojnë gjallë. JamiroTec përdor po ashtu qenin që nuhat çimkat, Jamiron, dhe me këlyshin e vogël Ramirez është duke përgatitur brezin e ri të qenve që nuhasin çimkat.

Megjithatë shanset janë të pakta që çimkat të zhduken që me përpjekjen e parë për t’i lufuar. “Është shumë e vështirë t’i zësh çimkat. Ato fshihen tek çelësat e dritës dhe prizave dhe dërrasat e dyshemesë. Ato vendosen në laptop, në aparatin fotografik, ose tek një libër i trashë, brenda kapakut”, thotë Kasig. “Dhe ato mund të jetojnë një vit të tërë pa thithur gjak.” Një vit të tërë. Një problem tjetër është se çimkat përdorin të gjitha vendet ku fshihen për të lëshuar vezët. Mund të ndodhë që muaj të tërë të mos shohësh asnjë çimkë, kur një ditë ato dalin të gjalla sërish ose dalin çimkat e reja që lindin. 

Të jetosh bashkë me çimkat 

Lufta kundër këtyre përbindëshave të vegjël është e lidhur me kosto të larta. Në fund unë u detyrova të jepja 600 euro për faturën e shfarosësit të çimkave dhe faturën e hotelit, sepse gjatë kohës që luftohen çimkat nuk mund të qëndrosh në banesë. Por mundësia tjetër që mua më thanë për të shpëtuar nga çimkat, ishte të digjja të gjitha plaçkat e shtëpisë, por unë nuk pranova.

Banorët e lagjes Govanhill të Glasgout ndoqën një rrugë tjetër, megjithëse nuk e bënë këtë krejt vullnetarisht. Govanhill është lagjia multikulturore e Skocisë, aty fliten 64 gjuhë të ndryshme. Por kjo lagje njihet edhe për kushtet e vështira të banimit dhe për varfërinë.

Çimkat janë përhapur shumë në këtë lagje dhe banorët e saj mundohen tani të mësojnë të jetojnë me këta parazitë. Lagja ka madje një njësi të vetën për luftimin e insekteve të dëmshme, por banorët kanë parë se shfarosësit e insekteve nuk janë edhe aq efektivë, për shembull kur spërkasin vetëm një herë një banesë.

Një grua i tregoi Lynch-it, se shfarosësi i insekteve erdhi në banesën e fqinjit të saj, pak pasi kishte qenë tek banesa e saj më parë. Ajo vuri një copë leckë në tubin e vogël të ventilimit në murin e përbashkët me të tjerët dhe pasi banesa e fqinjit u spërkat me helm e morri leckën. Në të kishte çimka. Ato i kishin shpëtuar gazit, duke shkuar në banesën e fqinjit nëpërmjet tubit të ventilimit.

Por pavarësisht nga mungesa e parave, për të marrë një shfarosës më të mirë insektesh ose për t’u larguar fare nga kjo lagje, shumë banorë të Govanhillit kanë hequr dorë edhe për arsye shëndetësore, nga spërkatja banesave me kimikate një herë në gjashtë muaj. 

“Ata blejnë furça me avull që luftojnë çimkat dhe kanë plane shumë strikte pastrimi, pra përdorin metoda pa kimikate, për të shpëtuar nga insektet, metoda që janë më të shëndetshme për familjet e tyre,” tregon Lynch. 

Ajo vë theksin edhe tek aspektet e mbrojtjes së ambientit. “Po të kesh para, ti mund të shpëtosh nga një situatë e keqe me çimkat. Ne të gjithë duam të kemi jetë të dizinfektuar, të pastër, të patrazuar, por për të arritur këtë shkaktojmë shumë dëme. Këto probleme mjedisi nuk largohen lehtë, prandaj unë mendoj se ne mund të mësojmë nga banorët e Govanhillit. Ata nuk mendojnë se janë viktima, mendojnë se janë inovativë dhe pragmatikë.”

Si mund t’i mbash çimkat larg

Më e mira është që makthin e çimkave ta mbash larg që nga fillimi. Duke penguar ardhjen e parazitëve në banesë. Kur shkoni në udhëtime, vendoseni valixhen kur ktheheni në shtëpi menjëherë në vaskë. Çimkat nuk ngjiten dot në muret e shkëlqyeshme të vaskës. Kontrolloni dyshekun dhe kokën e krevatit mos shihni njolla të dyshimta, dhe sigurisht mos shihni vetë çimkat. Veshjet e palara mos i lini shpërndarë nëpër dhomë, por mbajini brenda në valixhe e çanta, sepse siç ka treguar një studim i Universitetit të Sheffield-it në Angli, çimkat tërhiqen shumë nga era e rrobave të palara.

Gjëja më e mirë që mund të bëni pas kthimit nga një udhëtim, është të lini të gjitha çantat e udhëtimit në një frigorifer për 48 orë rresht. Kjo ngordh parazitët. Veshjet që keni pasur në udhëtim duhen larë në temperaturë 60 gradë. Sipas Kasig, kjo nuk është metodë edhe aq e suksesshme. “Lavatriçet e sotme që harxhojnë pak energji, i mbajnë rrobat vetëm disa minuta në 60 gradë, kështu që disa çimka mund të mbijetojnë.”

Në aeroportin e Frankfurtit, ju mund të kërkoni që valixhet tuaja të hetohen nga një ekip qensh që nuhasin çimkat. Frankfurti është aeroporti i parë në Gjermani, që ofron shërbim të tillë. Para udhëtimit duhet të regjistrohesh për këtë shërbim. Kostoja është rreth 100 euro. Por kjo është shumë më e lirë se sa lufta kundër parazitëve, kur shkoni në shtëpi dhe ju shpëton nga drama e paniku që ka pasoja afatgjata./DW/

(Kosova Sot Online)