Publikohet raporti i BE: Shqetësim për gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarëve në Kosovë

  • A.P /
  • 08 November 2023 - 16:13
Publikohet raporti i BE: Shqetësim për gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarëve në Kosovë

Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën me gjetjet në të gjitha fushat. Sa i përket mjedisit mediatik, thuhet se ai mbetet i gjallë dhe pluralist dhe se korniza ligjore është në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë thuhet se është bërë përparim i kufizuar në përmbushjen e rekomandimeve nga raporti i vitit paraprak, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas këtij raporti, vazhdojnë të mbeten shqetësuese sulmet dhe kërcënimet fizike, fushatat e shpifjeve publike dhe gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve.

“Jo të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave raportohen tek autoritetet, megjithëse viti 2022 ka shënuar një rritje të lehtë të numrit të rasteve të raportuara. Veçanërisht shqetësuese është liria e shprehjes në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe autocensurën dhe sigurinë e gazetarëve dhe profesionistëve të medias”, thekson raporti.

Gjithashtu thuhet se s’ka pasur progres në ndryshimin e Ligjit për Radion dhe Televizionin e Kosovës apo në ndryshimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave për ta harmonizuar atë me Direktivën e BE-së për Shërbimet Mediale Audiovizive. Ky proces duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, me përfshirjen e aktorëve të medias dhe shoqërisë civile.

BE e konsideron si shqetësim serioz, vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e licencës së biznesit për Klan Kosovën dhe vlerëson se s’janë përmbushur rekomandimet e vitit paraprak.

Rekomandimet:

 → të përmirësojë bashkëpunimin institucional dhe reagimin e institucioneve kyçe ndaj sulmeve kundër gazetarëve dhe formave të tjera të presionit të panevojshëm, duke përfshirë rritjen e prokurorisë, kapaciteti i autoriteteve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit për të trajtuar çështjet në lidhje me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informimit;

→ rishikimi i Ligjit për radion dhe televizionin për të siguruar financim të qëndrueshëm duke ruajtur pavarësinë e tij; të rishikojë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave për të përditësuar kompetencat e tij, duke përfshirë në lidhje me mediat audiovizive, në përputhje me Direktivën për Shërbimet Mediale Audiovizive;

→ rritja e disponueshmërisë së të dhënave për tregun audioviziv, veçanërisht për pronësinë e medias.

(Kosova Sot Online)