Bislimi priti në takim eksperten pranë ECOSOC Moubayed Bissat

  • A.P /
  • 22 November 2023 - 18:34
Bislimi priti në takim eksperten pranë ECOSOC Moubayed Bissat

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim eksperten pranë ECOSOC, njëkohësisht Drejtoren e Institutit të Financave të Libanit, Lamia Moubayed Bissat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ekspertja Bissat, shprehu kënaqësinë e saj që ndodhet në Kosovë e që po mëson më shumë mbi historinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Ajo gjendet në Kosovë me rastin e mbajtjes së konferencës ‘’KosovaPar2023’’, ku po diskutohet për të ardhmen e Administratës Publike, fleksibilitetin, stabilitetin dhe digjitalizimin e saj, e cila po organizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftim.

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se reforma e administratës publike është prioritet i Qeverisë sonë. Znj. Bissat e vlerësoi këtë përkushtim të Qeverisë, duke thënë se reforma e administratës publike si prioritet, nuk është diçka të cilën e vërejmë shpeshherë në vende të ndryshme, andaj edhe është për t’u përgëzuar”.

Më tej, Bislimi foli dhe mbi politikat ekonomike dhe nismat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, qè siç thotë ZKM-ja me qëllim uljen e pabarazisë e shpërndarjen e barabartë.

“Duke e falënderuar për vizitën e fjalët e saj inkurajuese, zëvendëskryeministri Bislimi i dëshiroi qëndrim produktiv në Kosovë ekspertes Bissat. Nga ana tjetër, ajo shprehu admirimin e saj për punën që po bëhet dhe gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)