Policia e Kosovës sekuestron municion, uniforma e paisje ushtarake

  • A.P /
  • 25 December 2023 - 20:09
Policia e Kosovës sekuestron municion, uniforma e paisje ushtarake

Gjatë kësaj të hëne, policia ka pranuar disa informacione lidhur me fshehjen e disa armëve në Lagjen e Boshnjakëve në veri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Me të marrë informatën, policia ka dalë në terren dhe ka gjetur tela gjemborë, bomba tymosëse, municion e uniforma.

Uniformat, sipas policisë, ishin të ngjashme me ato të terroristëve në Banjskë.

“Policia e Kosovës në Mitrovicë veri sekuestron mjete të rrezikshme që do të mund të perdoreshin për sulme ndaj Policisë duke rrezikuar jetën e policëve dhe qytetarëvë”,

Edhe gjatë ditës së diel, Policia e Kosovës me autoritetet doganore, rreth orës 10:00, në hyrje të Republikës së Kosovës në Merdar gjatë kontrollimit në bagazhin e një autobusi me targa të huaja, në valixhen e një pasagjeri autoritete kufitare (policore dhe doganore) kanë hasur në disa pajisje të dyshuara ushtarake: tri thika luftarake, dy radiolidhje-motorola, një çantë ushtarake, një jelek taktik, një palë doreza, një helmetë taktike, tri bateria, dy këllëf për revole, e një imtim i predhës.

Për këtë rast është njoftuar Prokurori kompetente dhe me autorizim të tij është iniciuar rasti “import eksport, furnizim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuara e armëve”

Pajisjet e lartcekura janë sekuestruar.

Paralajmërimi i Kurtit

Në një konferencë për media, kryeministri Kurti deklaroi se ka rrezik për sulme të reja nga Serbia.

“Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen pra në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik, dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2.000 euro në muaj. Deri në shtator të këtij viti, ato janë shfrytëzuar nga turistët me qira. “Qendra për Ekologji dhe Zhvillimin e Sportit”, që gjendet në brigjet e liqenit të Ujmanit dhe Hotel “Rajska Banja”, që gjendet në afërsi të Manastirit të Banjskës, janë dy pika tjera që janë përdorur nga Radoiçiq, e të cilat janë ndërtuar me fonde të Qeverisë së Serbisë. Njëra ishte vizituar nga Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, e tjetra nga Kryeministrja Ana Bërnabiq”, tha Kurti.

Ai, madje ka deklaruar se një grup rreth 80 personash kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, afër Rashkës.

“Njëkohësisht, një grup prej rreth 80 personash, të gjithë të larguar nga Kosova, kanë vazhduar ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, në afërsi të Rashkës. Ky poligon për nga madhësia radhitet menjëherë pas atij në “Pasuljanke Livade”, dhe aty ushtria serbe kryen ushtrime ushtarake të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtje me tanke, për shkak të hapësirës së gjerë që ka rrotull. Trajnimet drejtohen nga ushtarakë të pensionuar serbë, të cilët kanë grada të larta, si gjeneral, kolonel e nënkolonel, dhe të cilët kanë njohuri shumë të mira për Kosovën pasi që mbase edhe kanë shërbyer në ushtri edhe gjatë kohës së luftës te ne. Ushtrimet janë duke i kryer për vendosjen e minave anti-tank në kushte dimërore dhe për snajperistë. Gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të komunës së Zubin Potokut, me qëllim “marrjen” e vilës së Radoiçiqit në brigjet e liqenit të Ujmanit, por këto plane janë pezulluar përkohësisht, për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi”, deklaroi kryeministri.

Ndryshe, dje (24 dhjetor) janë bërë tre muaj nga sulmi terrorist në Banjskë.

(Kosova Sot Online)