Në këtë vend vihet në rrezik mbijetesa e farmacive të vogla

  • A.P /
  • 28 December 2023 - 20:00
Në këtë vend vihet në rrezik mbijetesa e farmacive të vogla

Sistemi i furnizimit të barnave në Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga prodhimi në fabrikë dhe deri tek shitja në farmaci, është kompleks dhe i paqartë. Kongresi dhe legjislaturat vendore të disa shteteve kanë propozuar ligje që kërkojnë transparencë dhe ulje të çmimeve tepër të larta. Korrespondenti i kanalit PBS, Fred de Sam Lazaro, rrëfen eksperiencën personale tek farmacia e lagjes së tij dhe se shumë farmaci të vogla ankohen se sistemi i tanishëm po i dëmton ato financiarisht, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kur shkoj tek farmacia e lagjes për të marrë ilaçet, kam menduar se pjesa e çmimit të ilaçit që unë paguaj vetë, rreth 500 dollarë, i sjell një fitim të arsyeshëm farmacisë.

Por, në mënyrë befasuese, punonjësit më kërkojnë të shkoj në të ardhmen në një farmaci tjetër, pasi për këtë ilaç, farmacia e tyre del me humbje.

“Nëse për ilaçin paguan 578 dollarë dhe merr mbrapsht vetëm 500 dollarë, atëherë ky nuk është një model i qëndrueshëm. Kjo është situata ku gjendemi tani”, thotë John Hoeschen, pronar i farmacisë “St. Paul Corner Drug”.

Kjo farmaci tradicionale ka qenë këtu për 100 vjet. Pronari nuk është i sigurt se sa mund të rezistojë. Ai fajëson kryesisht kompanitë e ashtuquajtura ndërmjetëse, (PBM) që menaxhojnë rrjetin e siguracionit për barnat. Këto të fundit janë rreziku kryesor për farmacinë e zotit Hoeschen. Janë ato që përcaktojnë se cilat ilaçe mbulohen nga siguracioni, çmimin që i caktohet ilaçit për farmacinë, si dhe pagesën që duhet të bëjë vetë klienti.

Kompanitë ndërmjetëse u krijuan fillimisht për të vënë nën kontroll kostot në rritje të sigurimit për ilaçet, nëpërmjet hartimit dhe përditësimit të listave të ilaçeve që mbulohen, apo jo, nga siguracioni.

Me kalimin e kohës, vetë këto kompani ndërmjetëse janë shndërruan në biznese prej disa miliarda dollarësh.

“I faturojnë kompanisë së sigurimeve Blue Cross 40 dollarë, mua më japin 7 dollarë. Ku shkojnë 33 dollarët? Tek kompania ndërmjetëse”, thotë zoti Hoeschen.

Këto kompani ndërmjetëse kanë hyrë me biznesin e tyre edhe në sektorin e shitjes. Në vend që të ulin realisht çmimet e ilaçeve, kompanitë ndërmjetëse bëjnë të kundërtën, thonë përfaqësuesit e kompanive prodhuese.

“Fitojnë më shumë nga ilaçet me çmime të larta. Prodhuesit marrin tashmë më pak se gjysmën e çmimit me të cilin del ilaçi në treg”, thotë zoti Ubl.

Por përfaqësuesit e kompanive ndërmjetëse fajësojnë prodhuesit dhe thonë se pa këto kompani ndërmjetëse, situata do të ishte shumë më e keqe.

“Këto kompani kanë patur sukses në uljen e kostove të ilaçeve dhe për t’i bërë ato të disponueshme për miliona dhe miliona amerikanë”, thotë ai.

Grupi i kompanive ndërmjetëse akuzon prodhuesit e ilaçeve për rritjen e çmimeve dhe shfrytëzimin e ligjeve për pronësinë intelektuale për t’i mbajtur çmimet e larta, siç ndodhi me rastin e insulinës kur kompanitë u detyruan ta ulnin vetë çmimin artificialisht të lartë.

Zoti Ubl kundërpërgjigjet edhe për rastin e insulinës. Ai thotë se kur çmimet filluan të bien, shumë kompani ndërmjetëse u kërkuan pacientëve të tyre që të qëndronin me markat që nuk i kishin ulur çmimet, duke u lënë pacientëve pagesa më të mëdha.

“Kjo për shkak se ato kishin më shumë fitim nga ilaçet me çmime më të larta. Ky është shembull klasik se përse sistemi duhet të ndryshohet”, thotë zoti Ubl.

Dr. S. Vincent Rajkumar thotë se sistemi është aq kompleks sa që shumë pak veta e kuptojnë dhe ndërkaq çmimet vetëm rriten. Ai thotë se tensioni do të shtohet në të ardhmen.

“Pati revoltim për shkak të familjeve që humbnin fëmijët me diabet të tipit 1, prej çmimeve të larta të insulinës. U revoltuan amerikanët që kuptuan se mund të shkojnë në Kanada dhe ta gjejnë të njëjtin ilaç me një të dhjetën e çmimit. U krijua një lëvizje aktiviste që solli ndryshimin”, thotë Dr. Rajkumar.

Por çfarë do të thotë e gjitha kjo për farmacinë e lagjes?

“Marr letra çdo muaj nga një prej rrjeteve të mëdha ku ofrojnë të më blejnë të dhënat, dhe rastet e klientëve, pra në thelb të më blejnë plotësisht”, thotë zoti Hoeschen.

Ai është munduar të fitojë kohë me shitjen e produkteve të reja, si suplementët ushqimorë dhe duke ofruar shërbimin e vaksinimit, me shpresën se reformat në nivel federal dhe shtetëror do të sjellin ndonjë lehtësim.


(Kosova Sot Online)