Ky plan i Përparim Ramës po kundërshtohet ashpër

  • A.P /
  • 11 January 2024 - 18:26
Ky plan i Përparim Ramës po kundërshtohet ashpër

Kryeqyteti shumë shpejt do të vëzhgohet nga kamerat. Kamera me inteligjencë të lartë artificiale do të vendosen në vendet që frekuentohen më shumë nga qytetarët dhe do të monitorohen nga Policia e Kosovës. Ky është plani i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Duke prezantuar këtë ide, Rama ka thënë se kamerat kanë një intelegjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano – kanadez, dhe do të ndihmojnë që përmes policisë, të bëhet identifikimi i personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet. 

Ai beson se përmes tyre, do të rrritet siguria në kryeqytet.

“Po ashtu, përmes këtij sistemi, do të identifikohen, në kohë rekord, personat e përfshirë në vjedhje, rrahje apo çfarëdo vepre të tillë, dhe besojmë se do të ul numrin e këtyre rasteve dhe rrisë nivelin e sigurisë në kryeqytet. Personat të cilët me makina hynë gabim në rrugë një kahëshe, bëjnë tejkalim në vijë të plotë ndarëse, apo udhëtojnë me veturë të paregjistruar, do të identifikohen menjëherë nga këto kamera, të cilat do të japin sinjalet në qendrën e monitorimit në polici, duke ndikuar që shkelje të tilla të ndodhin sa më pak”, ka thënë Rama.

Kontrata për vendosjen e tyre tashmë është nënshkruar. Kjo është bërë me 27 dhjetor. Tenderi i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë “E CONNECT AL SH.P.K& Kompania Prishtina Sh.p.k”. Për këtë kontratë fillimisht ishin planifikuar të shpenzoheshin 1 milion e 350 mijë euro, por në fund kontrata është nënshkruar për rreth 413 mijë euro, më kohëzgjatje për 3 vjet.

Por, ideja e Ramës ka hasur në kundërshtime. I pari që ka dalë kundër është Ish-Ministri Dardan Gashi.

 Gashi ka vlerësuar se vendosja e kamerave do ta shkelte privatësinë.

Gashi ka thënë se me këtë ide Rama e sfidon edhe diktatorin veri-korean Kim Jong Un.

“Është shkelje e të drejtave të garantuara me Kushtetutë që askush nuk guxon të monitorohet pa arsye e vendim gjyqësor. Përdorimi i kamerave inteligjente është një invazion brutal në të drejtat individuale dhe privatësinë e kosovarëve”, ka shkruar Gashi.

Ai ka kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe shoqërisë civile.

“Shoqëria civile e Ministria e Drejtësisë duhet të angazhohen, që jo vetëm të mos lejohet, por edhe të merren në përgjegjësi personat përgjegjës për këtë invazion ekstrem mbi lirinë e prishtinasve”, ka deklaruar Gashi.

Me Gashin është pajtuar edhe ish-Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa. Ai ka thënë se një ide të tillë e ka pasur edhe ai vetë sa ka qenë kryetar, derisa ka treguar edhe arsyen pse ishte tërhequr.

“Në vitin 2012 edhe unë dhe bashkëpunëtorët e mi punonim të instalonim kamera në vendet më të frekuentuara të Prishtinës dhe në udhëkryqe. Në ndërkohë me dy bashkëpunëtorë shkova në vizitë në një shtet jo-evropian, i cili ishte dhe është nën tensionin e rrezikut të jashtëm dhe të sigurisë. Na u demonstruan edhe vëzhgimet me kamera në një port të tyre. Për ta veprim i nevojshëm. Por ata nuk i konsideronin problem qytetarët e tyre por agresionin nga jashtë. Mua mu duk se Prishtina nuk ka arsye për këtë”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, përmes vëzhgimit mund të krijohen probleme qytetarëve.

“Kur u ktheva ua kumtova bashkëpunëtorëve të mi se ne nuk duhet të bëjmë këtë, sepse nuk kemi të drejtë të mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë… çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj. Unë me shkopin tim, në qytetin tim nuk pajtohem të vëzhgohem nga kamerat, sepse shkopin e mbaj për arsye shëndetësore e jo që ta cenoj askënd”, ka thënë Mustafa.

(Kosova Sot Online)