Hill e njoftoi për ” Javelinët” Vuçiq thotë se po mendon për hetime “ndaj atyre që po e armatosin Kosovën”

  • E.K /
  • 24 January 2024 - 15:54
Hill e njoftoi për ” Javelinët” Vuçiq thotë se po mendon për hetime “ndaj atyre që po e armatosin Kosovën”

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka folur sot për hetimet rreth sulmit terrorist në Banjskë, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë një prej figurave kyçe të “Listës Serbe” që gjendet në listën e zezë të SHBA-së, Milan Radojicic.

Vuçiq e ka shfrytëzuar këtë për t’iu kundërpërgjigjur amerikanëve për punën e armatimit, konkretisht sistemit anti-tank Javelin që Uashingtoni pritet t’ia shes Kosovës.

Ai ka thënë se është “duke menduar rreth fillimit të një hetimi për të gjitha ata që po e armatosin Prishtinën”, meqë sipas tij, “po e bëjnë ilegalisht”, shkruan KosSev.

Sipas ish-ministrit të Sllobodan Millosheviqit, armatosja e Ushtrisë së Kosovës po bëhet “në kundërshtim me Rezolutën 1244”.

“Po mendoj se si të nis një hetim për të gjithë ata që armatosin Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të gjithë të tjerët që i armatosin – në kundërshtim me Rezolutën 1244. Kush e shkel Kartën e Kombeve të Bashkuara, si e shkelën dhe si guxuan të shkelin Kartën e OKB-së dhe gjithçka që duhet të bëjnë dhe mendojnë se kurrë nuk do të mbajnë përgjegjësi për të”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb lajmin se SHBA planifikon t’i shesë Kosovës sistemin anti-tank Javelin e ka marrë ditë më parë nga ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill.

(Kosova Sot Online)