Haradinaj: Anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Kosovës në NATO do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë mbarë rajonale

  • E.K /
  • 31 January 2024 - 15:23
 Haradinaj: Anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Kosovës në NATO do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë mbarë rajonale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Siguri, i cili është mbajtur në Kongresin Amerikan, përcjell “Kosova Sot Online”.

Aty Haradinaj ka mbajtur një fjalim lidhur me sigurinë në Kosovë, rajon e botë, duke kërkuar po ashtu edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO si një shans për më shumë siguri.

Fjala e plotë e Haradinajt në Kongresin Amerikan:

Në Kongresin Amerikan, në Forumin Ndërkombëtar për Siguri, pata nderin që në emër të Republikës së Kosovës të adresohem më një fjalë.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Më lejoni ta filloj fjalën time duke falënderuar Ministrin e nderuar, z. Fatmir Mediu për pasionin dhe angazhimin e tij të madh për organizimin e këtij paneli me këtë temë, me pjesëmarrës kaq të nderuar, që për mua ka një rëndësi të veçantë në këtë kohë – me zhvillimet aktuale në mbarë botën.

Duke qenë se koha është e mjaft e kufizuar, do të doja të përcjell vetëm një mesazh nga ky panel, i cili besoj se është i rëndësishëm, veçanërisht duke marrë parasysh kohët e vështira dhe sfiduese në aspektin e sigurisë në të cilat po kalon bota momentalisht.

Për mua, dhe jam i sigurt se për të gjithë ju po ashtu, është e qartë se siguria është parakusht për çdo agjendë politike dhe institucionale. Në këtë linjë, ne të gjithë duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm se sigurinë nuk mund ta marrim si të mirëqenë, por, duhet të punojmë shumë për të mbrojtur dhe për të ruajtur stabilitetin, kudo që të jemi.

Prandaj, në çerekun e parë të këtij shekulli dhe 25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, ka ardhur koha për të marrë disa vendime të mëdha dhe tejet të rëndësishme. Unë besoj fuqishëm se anëtarësimi i plotë dhe sa më i shpejtë i Kosovës në NATO do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë mbarë rajonale, dhe do të luftojë dukshëm agjendat keqdashëse të të tjerëve.

Është koha që bota demokratike, e udhëhequr nga Amerika, të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet: brenda Kosovës, por edhe në forcimin dhe rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe globalisht.

Ky vendim nuk është asgjë më pak e as më shumë se një angazhim dhe mobilizim i thellë për ne, duke qenë së bashku në një vijë për t’u përballur e luftuar kundër agjendave keqdashëse të vendeve jodemokratike, siç janë Kina e Rusia.

Të dashur,

Në rrethanat kur një shtet si Rusia kryen pa asnjë hezitim agresion dhe krim ndaj një shteti, si në rastin e Ukrainës, dhe shtetet tjera si Kina që nuk do të hezitojnë në asnjë moment të mbështesin këtë agresion, ne nuk duhet të qëndrojmë të qetë dhe ‘duke u marrë vesh/kryer punë si zakonisht’, por duhet të jemi të alarmuar për nivelin e kërcënimit dhe këtyre veprimeve.

Pra, le të bashkohemi në marrjen e këtyre vendimeve, të cilat aq sa janë të rëndësishme, janë njëherazi të vështira, dhe le të qëndrojmë për atë që besojmë e të mbrojmë vlerat e lirisë dhe demokracisë, pasi nuk kemi një zgjidhje apo opsion të dytë. Këtë e arrijmë vetëm nëse jemi bashkë. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë NATO-n! Zoti e bekoftë miqësinë mes popullit Amerikan e Kosovës! Ju faleminderit!

(Kosova Sot Online)