Ja sa serbë aplikuan gjatë janarit për pasaportë të Kosovës

  • A.P /
  • 01 February 2024 - 17:30
Ja sa serbë aplikuan gjatë janarit për pasaportë të Kosovës

Nga 1 janari Kosovës i janë hequr vizat. Të gjithë qytetarët mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Shëngen pa pasur nevojë që paraprakisht të pajisen me viza, mirëpo një gjë e tillë ende nuk vlen për qytetarët serbë të Kosovës që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, të lëshuara nga Serbia, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për të shfrytëzuar të drejtën e udhëtimit, interesim kanë edhe nga qytetarët serbë të katër komunave veriore.

Vetëm gjatë muajit janar, për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, kanë aplikuar 826 persona.

Nga Ministria e Brendshme kanë treguar se sa është numri për secilën komunë veçmas.

“Leposaviq 155; Zubin Potok: 125; Zveçan 112; Mitrovicë e Veriut 434”, thuhet në përgjigjen e MPB’së.

Ndërkaq deri më 31 dhjetor të vitit 2023, për pasaportë të Kosovës, kanë aplikuar 6 mijë e 310 qytetarë serbë.

“Leposaviq 693; Zubin Potok 911; Zveçan 671; Mitrovicë e Veriut 4035”.

Nga kjo ministri kanë thënë se muajve të fundit kanë parë rritje të theksuar të aplikimeve nga qytetarët në komunat me shumicë serbe krahasuar me vitet e kaluara.

MPB ka thënë se posedojnë material të mjaftueshëm që t’i plotësojnë kërkesat e qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë.

“Muajve të fundit kemi parë një rritje të theksuar të aplikimeve nga qytetarët tanë në komunat me shumicë serbe krahasuar me vitet e kaluara. Mirëpresim vullnetin e shtuar së fundmi nga qytetarët e komunitetit serb për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme ka material të mjaftueshëm që ti plotësojë të gjitha kërkesat e qytetarëve për t’u pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga MPB.

Komisioni Evropian ka thënë me 13 janar të këtij viti se pret që në procesin e përbashkët ndërinstitucional në Bashkim Evropian të miratohet kërkesa e tij që liberalizimi i vizave të vlejë edhe për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.

Mirëpo këtë propozim e ka kundërshtuar Qeveria e Kosovës, duke thënë se ky propozim pengon integrimin e komunitetit të serbëve të Kosovës dhe legjitimon strukturat paralele ilegale të Serbisë në Kosovë, shuarja e të cilave është kërkuar nga BE.

Liberalizimi i vizave për Kosovën u nënshkrua zyrtarit më 19 prill të vitit 2023, në një ceremoni të organizuar nga Parlamenti Evropian në Strasburg, teksa vendimi hyri në fuqi nga 1 janari 2024.

(Kosova Sot Online)