Ja pse Orban bojkoton seancën parlamentare

  • A.P /
  • 05 February 2024 - 17:17
Ja pse Orban bojkoton seancën parlamentare

Partia në pushtet e Hungarisë, Fidesz ka bojkotuar një seancë parlamentare, të thirrur nga opozita për të ratifikuar anëtarësinë e Suedisë në NATO, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Partia e Viktor Orbán e bojkoti seancën, edhe pasi në godinë mbërritën një sërë ambasadorësh perëndimorë për të nxitur votimin. 

Për muaj me radhë, kryeministri hungarez u kishte premtuar homologëve në NATO se vendi i tij nuk do të ishte i fundit që do ta firmoste aplikimin e Suedisë.

Por Orbán e harroi premtimin që kishte bërë në momentin kur Turqia ratifikoi aplikimin e Suedisë muajin e kaluar, duke e lënë Hungarinë të vetme në “misionin” për ta penguar pranimin e Stokholmit.

Lideri hungarez më pas i premtoi publikisht sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se do t’i kërkonte parlamentit të “përfundonte ratifikimin në rastin e parë të mundshëm”, vetëm që pastaj të hiqte dorë nga premtimi i tij duke mos u paraqitur në seancë.

Në një lëvizje simbolike, një grup prej 16 përfaqësuesish diplomatikë, përfshirë ambasadorin amerikan në Budapest, David Pressman, mbërritën në parlamentin e Hungarisë të hënën.

Vonesa e shkaktuar nga Hungaria ka irrituar zyrtarët perëndimorë, të cilët kanë shprehur shqetësim si për kohëzgjatjen e vonesave, ashtu edhe për mungesën e qartësisë mbi argumentimin që qëndron pas arsyetimit të Hungarisë.

(Kosova Sot Online)