Prokuroria deklarohet për plagosjen në Prishtinë: Një i mitur në arrati

  • E.K /
  • 16 February 2024 - 10:15
Prokuroria deklarohet për plagosjen në Prishtinë: Një i mitur në arrati

Prokuroria Themelore e Prishtinës është deklaruar lidhur me plagosjen që ndodhi mbrëmë në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ku mbetën të plagosur burrë e grua, transmeton "Kosova Sot Online".

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë se është identifikuar një person i dyshuar (i mitur), i cili gjendet në arrati.

“Nga hetimet preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri janë lënduar dy persona, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërkaq është identifikuar një person i dyshuar (i mitur), i cili gjendet në arrati. Rasti është iniciuar fillimisht “vrasje në tentativë”, ndërkaq në koordinim me policinë janë duke u zhvilluar hetimet, me qëllim të ndriçimit të rrethanave, si dhe sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedurën penale”, ka deklaruar Ulaj.

Ndërkohë, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti ka deklaruar se lidhur me rastin janë arrestuar tre të dyshuar.

“Sot rreth orës 21:00 policia ka marrë informatën për plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Bregu i diellit në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore ndërkohë që lidhur me këtë rast deri tani janë arrestuar tre persona të dyshuar”, ka deklaruar mbrëmë Ahmeti.

(Kosova Sot Online)