"Gratë shpenzojnë gati dy orë e gjysmë më shumë në ditë në punë përkujdesjeje të papaguar sesa burrat"

  • E.k /
  • 07 March 2024 - 07:47

Në raportin e fundit të Bankës Botërore tregohet se gratë ende përballen me pabarazi të konsiderueshme ligjore në vendin e punës në krahasim me burrat, transmeton “Kosova Sot Online”.

Pavarësisht përparimeve në barazinë gjinore, gratë gëzojnë më pak se dy të tretat e të drejtave ligjore, me asnjë nga ekonomitë e botës që nuk ofron mundësi të barabarta për gratë, sipas raportit të titulluar "Gratë, biznesi dhe ligji 2024", i përgatitur nga 2 mijë e 400 ekspertë të fushave të ndryshme në 190 ekonomi.

Në komentet e tij mbi raportin, Indermit Gill, kryeekonomist i Grupit të Bankës Botërore, theksoi potencialin ekonomik të barazisë gjinore, duke deklaruar se "mbyllja e këtij hendeku mund të rrisë produktin e brendshëm bruto global me më shumë se 20%—duke dyfishuar në thelb normën e rritjes globale gjatë dekadës së ardhshme.”

Raporti identifikon se gratë përfitojnë vetëm 77 cent për çdo dollar të fituar nga burrat.

“Gratë fitojnë vetëm 77 cent për çdo dollar të paguar për burrat. Në total, 92 ekonomive u mungojnë dispozitat që detyrojnë pagë të barabartë për punë me vlerë të barabartë; 20 ndalojnë një grua të punojë natën; dhe 45 ndalojnë një grua të punojë në punë që konsiderohen të rrezikshme”, thuhet në raport.

“Gratë shpenzojnë gati dy orë e gjysmë më shumë në ditë në punë përkujdesjeje të papaguar sesa burrat, shumica e të cilave përfshin kujdesin ndaj fëmijëve. Më pak se gjysma e të gjitha ekonomive ofrojnë mbështetje financiare ose lehtësime tatimore për prindërit me fëmijë të vegjël”, thuhet aty.

(Kosova Sot Online)