A i duhet Kosovës ligj për valutën?

  • A.P /
  • 07 March 2024 - 19:24
A i duhet Kosovës ligj për valutën?

Kosova nuk ka ligj të veçantë, me të cilin do të përcaktonte valutën e saj kombëtare, por ka një urdhëresë administrative, e cila e përcakton euron si valutë për pagesa.

Në Kushtetutën e vendit, Neni 11, thuhet se si mjet pagese, duhet përdorur “një valutë e vetme”, por nuk përcaktohet cila.

Duke u thirrur në këtë nen, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi edhe një rregullore më 1 shkurt, e cila e specifikon euron si valutë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë.

Rrjedhimisht, dinari serb që përdorej në komunat me shumicë serbe në vend, u ndalua.

Ekspertët e çështjeve juridike dhe ekonomike thonë se, në mungesë të një ligji specifik për valutën, rregullorja e BQK-së është “gabim në hapa”.

Dokurdo, sipas tyre, Kosovës do t’i duhet ky ligj.

Si u fut euroja në Kosovë?

Pas përfundimit të luftës më 1999, kur në Kosovë u vendos administrata e Misionit të Kombeve të Bashkuara, UNMIK, autoritetet e saj, përmes një rregulloreje, e përcaktuan markën e atëhershme gjermane si valutë për pagesa në Kosovë.

Deri atëherë përdorej dinari jugosllav.

Rreth dy vjet më vonë, përkatësisht në dhjetor të vitit 2001, UNMIK-u, përmes një urdhërese administrative (2001/24), e përcaktoi euron si valutë që do të përdorej në Kosovë nga 1 janari i vitit 2002.

Në të njëjtën kohë, edhe 18 shtete që asokohe ishin anëtare të Bashkimit Evropian, e lëshuan në përdorim euron, duke i zëvendësuar njësitë e tyre valutore.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se urdhëresa administrative e UNMIK-ut është bazë ligjore për përdorimin e euros si mjet pagese në Kosovë.

Kur kjo është miratuar, thotë ai, ka pasur një “pajtim në heshtje” midis UNMIK-ut, partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe Bankës Qendrore Evropiane, dhe nuk është kaluar nëpër procesin e miratimit të kritereve.

“Çdo rregullore e UNMIK-ut mbetet në fuqi deri në rastin kur ajo nuk shfuqizohet me një ligj të veçantë”, thotë ai për rel.

Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, pajtohet se mungesa e një ligji të veçantë për valutën e Kosovës, nuk e bën të paligjshëm përdorimin e euros, meqë për të ekziston urdhëresa e UNMIK-ut.

Por, ai thotë se mungesa e tij shkakton telashe teknike për Bankën Qendrore të Kosovës kur ajo nxjerr akte nënligjore – si rregullorja e fundit që e përcakton euron si valutë të vetme për pagesa – pa pasur ligj.

“Së pari duhet të aprovohet ligji për valutën e Republikës së Kosovës. Atë ligj duhet ta sponsorizojë Banka Qendrore [e Kosovës], ta aprovojë Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe, pastaj, pas një periudhe transitore – disa muaj, një apo më shumë vite – të zbatohet ligji dhe jo akti nënligjor, që është [në këtë rast] rregullorja e BQK-së”, thotë Bektashi, njëherësh ish-anëtar i Bordit të BQK-së, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Miftarajt, rregullorja që e ndalon dinarin, ka qenë e panevojshme, “marrë parasysh bazën juridike që del nga urdhëresa e UNIMK-ut për përdorimin e euros si valutë të vetme për pagesë”.

Kjo urdhëresë, thotë ai, ka mundur të zbatohet edhe pa rregulloren e BQK-së, të cilën ai e interpreton si veprim me prapavijë politike.

“Nëse kanë dashur ta zbatojnë, është dashur që këtë ta bëjnë institucionet për zbatimin e ligjit, edhe pa vendimin e BQK-së. Por, t’iu thuash [zyrtarëve të Qeverisë] që zbatojnë një rregullore të UNMIK-ut, u dhemb koka, kështu që kanë dalë me këtë [rregulloren] e BQK-së”, thotë Miftaraj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se BQK-ja është institucion i pavarur dhe si i tillë merr vendime.

Megjithatë, në disa raste ka theksuar se rregullorja në fjalë nuk mund të anulohet.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që të shtyhet zbatimi i saj, derisa komuniteti serb në Kosovë, i cili me vite ka pranuar pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia, të përshtatet me praktikën e re.

Por, sipas Kurtit, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë – ato vetëm duhet të bëhen në euro.

Sipas BQK-së, arsyeja kryesore për këtë rregullore ka qenë integriteti financiar.

(Kosova Sot Online)