Gjobitet me 800 euro avokati i të akuzuarit për korrupsion

  • A.P /
  • 13 March 2024 - 16:41
Gjobitet me 800 euro avokati i të akuzuarit për korrupsion

Për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Armend Shkoza, të merkurën, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është shtyrë seanca, në rastin ku i pandehuri Haxhimet Ferati, në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit Publik në Komunën e Mitrovicës, ngarkohet se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Lidhur me mungesën e avokatit Shkoza, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri njoftoi se i njëjti përmes parashtresës së datës 11 mars ka kërkuar shtyrjen e seancës së sotme, me arsyetimin se më 9 mars 2024, i njejti udhëton jashtë vendit për arsye personale.

 

Por, gjykata konsideroi se mungesa e avokatit Shkoza nuk ishte arsyetuar në mënyrë bindëse, dhe të njejtit në bazë të nenit 304 të Kodit të Procedurës Penale i shqiptoi gjobë në vlerë prej 800 euro.

Kujtojmë se mbrojtësi i të akuzuarit Ferati, avokati Armend Shkoza ka qenë i pranishëm në seancën e datës 1 mars 2024, kur është caktuar data për mbajtjen e seancës së sotme.

Fillimisht, trupi gjykues kërkoi nga i akuzuari Ferati që të angazhoi mbrojtës tjetër ose gjykata do t’i angazhoj mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Ndërsa, i akuzuari Haxhimet Ferati e kundërshtoi një gjë të tillë, duke thënë se nuk mund të angazhoj avokat tjetër, me arsyetimin se avokati Shkoza është në ngjarje të rastit dhe propozoi që seanca të shtyhet për javën tjetër.

Më pas, gjykata e aprovoi propozimin e të akuzuarit Ferati, që t’i jepet mundësia që të angazhojë vetë mbrojtës apo të kontaktojë me mbrojtësin e tij, me qëllim që mos ta dëmtojë mbrojtjen.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2023, Haxhimet Ferati akuzohet se më 19 nëntor 2014, në pozitën e menaxherit të prokurimit publik pranë Drejtorisë së Prokurimit, në Komunën e Mitrovicës, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të një dobie pasurore për vete ose tjetrin në kundërshtim me LPP nr. 04L-042, ka lidhur aneks- kontratë me Operatorin Ekonomik NTP “Tropik” me të cilin ka pasur kontratë kornizë trivjeçare, sipas “Betimi për Drejtësi”.

(Kosova Sot Online)