A do të ketë kamera në të gjitha zgjedhjet?

  • A.P /
  • 04 April 2024 - 16:05
A do të ketë kamera në të gjitha zgjedhjet?

Më 28 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar 9 specifika teknike sa i përket mbajtjes së votimit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë në katër komunat veriore. Një nga këto specifika parasheh vendosjen e kamerave në vendvotime, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

Për ta mundësuar këtë, tashmë KQZ ka nënshkruar memorandum me KQZ’në në Shqipëri për të marrë hua kamerat.

Ditën e mbledhjes kur u mor ky vendim një anëtar i KQZ’së ngriti dilemën nëse ky vendim është në përputhje me ligjin.


““Edhe pse votova pro, një dilemë sa i përket çështjes së kamerave në vendvotim nuk po flas për rastin konkret, është çështje që do të përcillet kurdo që mbahen zgjedhjet në krejt Kosovën. A është në përputhshmëri me ligjet aktuale në Kosovë, me cenimin e privatësisë sepse kjo çështje është trumbetuar shumë gjatë në Kosovë. Nuk po flas për rastin konkret sepse kjo do të vlejë edhe për herë tjera por këtu kam dilema, nuk e di nëse është në plotni me kornizën tonë ligjore”, tha Ilir Gashi nga PDK.

Mirëpo anëtari tjetër i KQZ’së, Alban Krasniqi, tha se ky vendim është i paraparë me dy rregullore.

“Dmth vendosja e kamerave regjistruese janë pjesë e dy rregulloreve, ajo për votim dhe për punën e KVV’ve. Në anën tjetër, ligji i ri ia ka dhënë si obligim KQZ’së që gjatë proceseve të votimit dhe numërimit të rritet transparenca dhe kjo është në suaza të asaj transparence. Natyrisht se është e qartë se ruhet fshehtësia e votës, ato vendosen në forma dhe pozita ku sigurohet mbarëvajtja e procesit dhe për çfarëdo rrethane që nesër mund të na duhet, për rezultate apo aspekte tjera, kjo është e zgjidhshme. Për herë të parë po i bjen tash, por rregulloret i kemi miratuar dhe vazhdon të përdoret edhe në proceset tjera zgjedhore”, tha Krasniqi.

(Kosova Sot Online)