Srpska refuzon regjistrimin e popullsisë por edhe votimin e 21 prillit

  • A.P /
  • 09 April 2024 - 16:13
Srpska refuzon regjistrimin e popullsisë por edhe votimin e 21 prillit

Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, doli publikisht kundër votimit të 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës. Ai e konsideroi “jolegjitim” këtë votim, pasi sipas tij kryeministri Kurti “bëri gjithçka që referendumi të mos ketë sukses”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Elek u ankua edhe për vendimin e KQZ’së për vendosjen e kamerave në vendvotime.

“Nuk kam parë që të mbahet ndonjë referendum në prani të kamerave. Propozimi është që referendumi të bëhet në shkollat që janë pjesë e sistemit arsimor serb. Shqiptarët duan që të vendosen kamera në çdo klasë dhe korridor, ndaj morën hua një numër të caktuar kamerash nga KQZ-ja në Shqipëri. Me të drejtë populli shtron pyetjen se si do të jenë kamerat në qendrat e votimit, nëse kemi komisione zgjedhore dhe kaq shumë kontroll dhe tani duhen më shumë kamera”, tha ai në një konferencë të dielën.

Elek shtoi se janë parashikuar procedura të pamundura për votim për largimin e kryetarëve më 21 prill.

Pas kësaj konference kanë reaguar ndërkombëtarët.

Dje ambasada e SHBA’së në Prishtinë, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të larguar zyrtarët e zgjedhur në përputhje me ligjin në Kosovë, nëse ata vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për largimin e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë.”

Nga kjo ambasadë kanë thënë se vlerësojnë përpjekjet për të lejuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votimin e 21 prillit.

Ambasada shton se në këtë proces mundësi pjesëmarrje kanë edhe komuniteti serb.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës kanë mundësi të marrin pjesë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Ambasada ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri gjatë procesit. Tutje, në përgjigje thuhet se SHBA dhe partnerë tjerë do ta ndjekin këtë proces nga afër.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian, ka përsëritur që zgjedhjet e 23 prillit që u mbajtën vitin e kaluar në veri nuk prodhuan zgjidhje afatgjate.

“BE’së i vjen keq që Lista Serbe ka vendosur që të mos marrë pjesë në zgjedhjet e shkarkimit të planifikuara për 21 prill në katër komunat veriore. Kjo vjen pas bojkotit e mëparshëm të zgjedhjeve lokale të prill të 2023 në veri të Kosovës. Edhe pse zgjedhjet lokale të prillit 2023 u zhvilluan në linjë me kornizën ligjore të Kosovës, ato nuk prodhuan zgjidhje politike afatgjate pasi bojkoti nga serbët e Kosovës rezultoi me një pjesëmarrje shumë të ulët.”

Në një përgjigje, BE ka thënë se ka marrë parasysh shqetësimet e serbëve të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Listës Serbe që ta rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë në votimin e 21 prillit.

“Ne kemi marrë parasysh shqetësimet e serbëve të Kosovës sa i përket procesit që mundëson zgjedhje të reja lokale. Megjithatë, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe ta rishqyrtojë vendimin për mos të marrë pjesë, pasi demokracia ka të bëjë me pjesëmarrjen, dhe elektoratin e serbëve të Kosovës që të shfrytëzojë të drejtat e tyre dhe të shprehin opinionet e tyre politike në kutitë e votimit.”

BE ka thënë se është kritike që zgjedhjet lokale të mbahen në Veri dhe që serbët të marrin pjesë.

 “BE rikujton se është kritike që zgjedhjet lokale gjithëpërfshirëse, ku serbët e Kosovës marrin pjesë pa parakushte, të mbahen në katër komunat në Veri të Kosovës. Mbajtja e zgjedhjeve të reja për kryetar komune do të siguronte një qeverisje vendore plotësisht përfaqësuese në veri dhe do të ndihmonte në përshkallëzimin e situatës. Vota për shkarkim është një hap në këtë drejtim.”

BE, po ashtu, ka shtuar se është i domosdoshëm kthimi i serbëve në institucione.

“Që kur serbët e Kosovës u larguan nga institucionet në Veri të Kosovës në nëntor 2022, BE me partnerë janë angazhuar me Kosovën dhe Serbinë që ta bëjnë të mundur kthimin e tyre në institucione. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës.”

Vendimi i Listës Serbe për mospjesëmarrje në votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore ka nxitur reagimin edhe të ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ai ka thënë se është shqetësuese qasja e Listës Serbe.

“Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, tha ambasadori për Telegrafin.

Politika e këtij subjekti, Rohde ka thënë se mund të përmblidhet me dy fjale “bojkot dhe dorëheqje”, duke e cilësuar edhe si një tjetër autogol nga Lista Serbe.

“Për mua, politika e Listës Serbe në 18 muajt e fundit mund të përmblidhet fare sinqerisht në dy fjalë: ‘bojkot dhe dorëheqje’. Kjo është katastrofike, një dëmtim për të gjithë qytetarët e komunave veriore dhe një tjetër autogol nga Lista Serbe, sigurisht që kjo nuk ndihmon për të siguruar që ne do të kemi në veri kryetarë që përfaqësojnë plotësisht elektoratin të cilit i shërbejnë”, tha ai.

E ndaj kësaj deklarate të ambasadorit Rohde ka reaguar Lista Serbe dje. Ky subjekt politik ka thënë se janë të zhgënjyer me reagimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë “veçanërisht me qëndrimin e ambasadorit gjerman”.

LS ka thënë se ndërkombëtarët “janë të verbuar nga dashuria për regjimin autoritar antiserb të Albin Kurtit”.

“Lista Serbe dhe populli serb janë të zhgënjyer me qëndrimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, sidomos me qëndrimin e ambasadorit gjerman Jorn Rode, të cilët janë verbuar nga dashuria për regjimin autoritar antiserb të Albin Kurtit nuk i shohin të gjitha lëvizjet e njëanshme të Prishtinës që sistematikisht shkelin të drejtat e popullit serb në Kosovë me qëllim spastrimin etnik përfundimtar të serbeve nga vatra shekullore”, thuhet në reagimin e partisë së dirigjuar nga Beogradi.

Ambasadorit Rohde, Lista Serbe i ka thënë se “është i informuar mirë për të gjitha pengesat dhe kurthet në procesin e sipërpërmendur”.

“Për shkak se janë verbuar nga ‘demokracia’ e regjimit në Prishtinë, përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk janë të gatshëm të shohin gjithë këtë dëshmi që si rezultat e patën vendimin tonë të qarte për të mos marrë pjesë në shfaqjet e regjimit të Albin Kurtit”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Ndërkaq, sot, presidentja Osmani ka thënë se bojkoti i Listës Serbe vjen me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ajo, në një prononcim për media, ka kërkuar që serbët në veri të vendit të mos i dëgjojnë thirrjet e Listës serbe, të cilët kërkuan që të bojkotohet procesi i referendumit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve në veri.

“Natyrisht Kushtetuta jonë dhe ligjet e kanë krijuar bazën ligjore se bashku me një udhëzim administrative të nxjerrë nga ministria përkatëse që qytetarët e komunave tona të kenë të drejtë të fillojnë procedurat për largimin e kryetarëve. Republika e Kosovës në bashkëpunim me aleatë ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet kjo e drejtë, të mos ju cenohet në as një moment kjo e drejt dhe ata ta realizojnë këtë të drejtë të lirë dhe pa presione”, ka thënë Osmani pas homazheve në përvjetorin e Betejës së Koshares.

Osmani tha se edhe kësaj radhe Vuçiqi është ai që nuk po e mbanë fjalën që ua ka dhënë aleatëve.

“Për fat të keq edhe kësaj radhe është Aleksandër Vuqiq ai që nuk e mbanë fjalën që e ka dhënë para aleatëve edhe në takime ku kanë qenë prezent edhe kancelari Scholz edhe presidenti Macron por edhe në takime të tjera ku ai kishte garantuar se nuk do të bëjë presion të pa ligjshme ndaj serbeve që mos të marrin pjesë në një proces të tillë”, u shpreh Osmani.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që, siç tha, të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”.

“Ai [votimi i 21 prillit] është rezultat i kërkesës dhe nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, banorë të këtyre katër komunave. Udhëzimi administrativ që parasheh mundësinë e largimit të kryetarëve të komunave, respekton vullnetin politik të qytetarëve”, tha Qeveria e Kosovës përmes një përgjigjeje dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Me veprimet e tyre, po dëshmojnë se në fokus nuk i kanë interesat e qytetarëve. Nga metodat e Listës Serbe e të Beogradit zyrtar, nuk ka përfituar qytetari privat, përkundrazi”, u tha në përgjigjen dërguar nga Qeveria e Kosovës.

Kryetarët e vjetër serbë patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 pas vendimit të Qeverisë për targat. Pas disa muajsh, më 23 prill 2023, zgjedhje të reja u mbajtën në Veri, por të njëjtat u bojkotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë të asaj zone. Kjo ndikoi që të ketë dalje të ulët të qytetarëve në votime dhe rezultatet nxorën fitues kandidatët shqiptarë të PDK’së e VV’së. Më pas, me kërkesë të ndërkombëtarëve, MAPL hartoi një udhëzim administrativ, i cili fillimisht parasheh mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit. Faza tjetër është votimi, i cili është paraparë për 21 prill. Nëse pro largimit të kryetarëve votojnë 50% +1 votë atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhje të reja.

(Kosova Sot Online)