Durrësi qyteti më i nxehtë deri në këtë vit, në mesin e tyre edhe Prizreni e Prishtina

  • E.K /
  • 15 April 2024 - 13:20
Durrësi qyteti më i nxehtë deri në këtë vit, në mesin e tyre edhe Prizreni e Prishtina

Zyra e Bankës Botërore në Kosovë bën të ditur se nxehtësia ekstreme në qytetet e Ballkanit Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm dhe valët e të nxehtit pritet të rriten edhe më shumë në pak dekada në vijim, transmeton “Kosova Sot Online”.

Po ashtu, në një grafikon që figuron temperatyura nga viti 1990 deri më 2024, Prizreni radhitet i katërti nga qytetet e Ballkanit për temperaturën më të lartë, si dhe Prishtina e shtata, kurse qyteti i parë del të jetë Durrësi.

“Po ashtu, shumë qytete në rajon tejkalojnë nivelet e sigurta të grimcave PM2.5 dhe janë ndër më të ndoturit në Evropë. Raporti rekomandon veprim në tre fronte kryesore për t’i bërë qytetet në rajon më të gjelbër. Së pari, të zvogëlohet shtrirja urbane dhe qytetet të bëhen më kompakte. Kjo mund të bëhet nëpërmjet investimeve për rigjenerimin e zonave urbane për të rritur dendësinë, inkurajimin e përdorimit të përzier të tokës në zonat kryesore dhe rizhvillimin e hapësirave tashmë të përdorura. Së dyti, qytetet duhet të ulin emetimet e tyre”.

” Fokusi duhet të jetë në sektorët kryesorë duke përfshirë transportin, ndërtesat dhe menaxhimin e mbetjeve. Së treti, qytetet duhet të ndërmarrin veprime për të zvogëluar nxehtësinë ekstreme urbane dhe për të rritur gatishmërinë për të. Masat, të tilla si çatitë e gjelbra, parqet dhe kopshtet urbane, dhe ligatinat e ndërtuara, duhet të promovohen duke pasur parasysh kostot e tyre të ulëta të zbatimit dhe përfitimet e larta mjedisore dhe sociale”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)