Strazimiri: Zgjedhjet pas vitit 2013 në Shqipëri, nuk i ka fituar PS por krimi i organizuar
Anëtari i kryesisë së PD-së, Gent Strazimiri ka folur rreth lëshimit të 50 fletë arresteve nga ana e SPAK, kundrejt 7 grupeve kriminale në Shqipëri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas Strazimirit, këta persona janë të gjithë ata që janë denoncuar për vjedhjen e zgjedhjeve të 14 majit 2023.
‘Banda është e paprekur jo për faktin se nuk janë arrestuar. Banda do të ishte e paprekur edhe nëse do të ishin sot të gjithë në burg të gjithë këta, për sa kohë mbështetja politike që i ka sjellë deri aty dhe i bëri kaq të fuqishëm është e paprekur.
Unë kam dyshimet e mia, që ky vendim për të mos publikuar pjesë nga vendimi, është për të mbyllur petët e lakrorit aty ku duhet, për ti futur pisllëqet poshtë tapetit dhe në fund të fundit, gjëja u bë dhe mbaroi dhe politikanë nuk kishte. Këta janë vetë politikanët.
Në kohën kur kemi bërë ligjin e dekriminalizimit, së bashku me kolegun Eduard Halimi dhe Oerd Bylykbashi kemi pasur një problem; ligji antimafia i Italisë nuk bënte për ne, që është edhe ligji më i fortë.
Në ligjin antimafia të Italisë, mafia përdorte njerëz të pa censuruar me lidhje familjare, apo profesionale apo interesi me mafian që të zgjidheshin deputetë, kryebashkiakë etj.
Tek ne ishin vetë mafiozët që kandidonin. Jemi në kuadrin e ligjit antimafia, fëmijët e tyre, apo persona të lidhur ngushtë me ta, janë në parlament.
Në vitin 2014, me firmën e Edi Ramës kanë qenë 19 deputetë me rekorde kriminale, më pas u bënë 22 se u shtuan të dënuarit. Nga 68 deputetë që fitoi, 22 i kishte me rekorde kriminale, kjo tregon se zgjedhjet e vitit 2013 në Shqipëri, nuk i ka fituar PS, apo Rilindaj, por krimi i organizuar.
Të gjithë emrat e përfshirë në këtë dosje, janë në librin e zi të farsës elektorale 14 majit.
(Kosova Sot Online)
