
Kurti takohet me Sarrazin, flasin për Procesin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot në me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, përcjell “Kosova Sot Online”.
Sipas njoftimit që ka lëshuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e Sarrazin kanë folur për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.
“Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
“Për kontributin dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal, kryeministri e falënderoi z. Sarrazin. Procesi i Berlinit është platforma ku angazhohemi për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik. Tregu i Përbashkët Rajonal i dalë nga Procesi i Berlinit së bashku me Planin e Rritjes janë mundësi për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe shpejtimin e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Republika e Kosovës është proaktive dhe kontribuese e këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet në fund të njoftimit.
(Kosova Sot Online)