
30 ditë paraburgim personit i cili vrau 57 vjeçarin dhe plagosi të miturin në Lipjan

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke caktuar masën e paraburgimimt në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit S.K., për vrasjen e 57-vjeçarit në Zllakuqan të Lipjanit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj të dyshuarit caktoi masën e paraburgimit.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri S.K gjendet në liri, i njëjti mund të ik dhe të arratiset, kjo për faktin se për veprën penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afat gjatë, po ashtu ekziston edhe rreziku i ndikimit në dëshmitarë për ndryshimin e provave, si dhe përsëritja e veprave penale, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë e sigurisë, për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale”, thuhet në njoftim.
S.K., dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Masën e paraburgimit e ka caktuar edhe për të miturin, Departamenti për të Mitur i kësaj Gjykate. I mituri dyshohet se kishte plagosur 15-vjeçarin më 7 gusht në Zllakuqan.
(Kosova Sot Online)