Miliarderët më të pasur, të cilët vetë e fituan pasurinë e tyre

  • 05 February 2016 - 20:52
Miliarderët më të pasur, të cilët vetë e fituan pasurinë e tyre

Nga 50 njerëzit më të pasur në botë, pjesa më e madhe e tyre fituan pasurinë duke filluar nga zeroja, duke themeluar kështu disa nga kompanitë më të forta në botë, si “Amazon”, “Berkshire Hathaway”, “Nike” dhe “Google”, transmeton gazeta Kosova Sot online.

1. Bill Gates

Pasuria neto: 87.4 miliardë dollarë

Mosha: 60

Vendi: SHBA

Industria: teknologji

Burimi i pasurisë: e fituar vetë; “Microsoft”

Kur kishte vetëm 20 vjet, Bill Gates bashkëthemeloi kompaninë “Microsoft” me mikun e tij të fëmijërisë, Paul Allen. Pak muaj para se të mbushte 31 vjet, kjo kompani u bë publike, duke e shndërruar Gatesin në miliarder.

Gates nuk është vetëm njeriu më i pasur në botë, por edhe shumë bamirës. Nga viti 1999, Gates dhe gruaja e tij udhëheqin fondacionin bamirës “Bill & Melinda Gates Foundation”. Gates është themelues i iniciativës “Giving Pledge”, ku pjesëtarët e kësaj iniciative premtojnë ta dhurojnë 50%  a më shumë të pasurisë së tyre,  transmeton gazeta Kosova Sot online.

Image

2. Amancio Ortega

Pasuria neto: 66.8 miliardë dollarë

Mosha: 79

Vendi: Spanjë

Industria: shitja me pakicë

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; “Inditex”

Me një pasuri neto prej më shumë se 66 miliardë dollarësh, Amancio Ortega është njeriu i dytë në botë për nga pasuria, falë kontrollit që ka mbi gjigantin spanjoll të modës, “Inditex”, të cilin Ortega e shndërroi nga një dyqan i vogël i fustaneve, në njërën prej kompanive më të mëdha në botë. Marka më e njohur e kësaj kompanie është “Zara”.

Përkundër pasurisë së madhe që ka, Ortega bën një jetë të thjeshtë. Ha bukë me punëtorët në mensë dhe vishet shumë thjeshtë.

Image

3. Warren Buffett

Pasuria neto: 60.7 miliardë dollarë

Mosha: 85

Vendi: SHBA

Industria: investime të ndryshme

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; “Berkshire Hathaway”

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Berkshire Hathaway”, Warren Buffett, filloi karrierën e tij investuese që në moshë të re. Si fëmijë ai shpërndante gazetat me biçikletë dhe në moshën 11- vjeçare bleu aksionin e parë në tregun e aksioneve. Ai studioi nën udhëheqjen e investitorit të dalluar, Benjamin Graham, i cili më pas bëhet mentor i tij. Gjatë viteve 1950 Buffett punonte si analist i sigurisë, para se ta formonte kompaninë e vet të investimeve. Në gushtin e kaluar ai publikoi blerjen më të madhe që ka bërë ndonjëherë: atë me vlerë 37.2 miliardë dollarë të kompanisë “Precision Castparts”. Deri tani ka dhuruar për bamirësi rreth 21.5 miliardë dollarë.

Image

4. Jeff Bezos

Pasuria neto: 56.6 miliardë dollarë

Mosha: 51

Vendi: SHBA

Industria: teknologji

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; Amazon.com

Jeff Bezos fitoi pasurinë e tij të madhe duke futur në përdorim e-tregtinë në botë. Pasi që kishte punuar në financa në “Wall Street”, Bezos themeloi kompaninë ‘Amazon.com’ në garazhin e shtëpisë së tij në Sietëll, në vitin 1994. Kjo kompani u bë publike tri vjet më vonë dhe tani vazhdon që të zgjerohet, duke u marrë me shitblerje të gjithçkaje, duke filluar nga mobiliet, e deri te ushqimi. Bezos është po ashtu edhe pronar i gazetës “Washington Post”.

Image

5. Larry Ellison

Pasuria neto: 45.3 miliardë dollarë

Mosha: 71

Vendi: SHBA

Industria: teknologji

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; “Oracle”

Në vitin 1977, Larry Ellison bashkoi forcat me dy kolegë nga një kompani elektronike, për ta themeluar kompaninë e tyre të programimit, e cila nuk vonoi shumë dhe u angazhua që të punonte për CIA-n nën emrin e koduar ‘Oracle’. Ky projekt më pas u zgjerua në atë që sot quhet kompania ‘Oracle Corp.’, prodhuesi i dytë më i madh i softuerit, menjëherë pas “Microsoftit”.

Ky magnat i teknologjisë është edhe një bamirës i madh.

Image

6. Mark Zuckerberg

Pasuria neto: 42.8 miliardë dollarë

Mosha: 31

Vendi: SHBA

Industria: teknologjia

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; “Facebook”

Në vitin 2004, Mark Zuckerberg, asokohe student 19- vjeçar në Harvard, lansoi ‘TheFacebook.com’, versionin rudimentar të rrjetit të tashëm social, të njohur si ‘Facebook’. Zuckerberg la studimet për të punuar me orar të plotë si shef ekzekutiv i kësaj kompanie dhe ueb sajti shumë shpejt u bë tepër i popullarizuar. Sot atë e shfrytëzojnë më shumë se 1 miliard njerëz në ditë dhe ka vlerë më të madhe se 275 miliardë dollarë,  transmeton gazeta Kosova Sot online.

Bashkë me gruan, Zuckerberg ka premtuar se, për së gjalli, do të dhurojë 99% të pasurisë së vet.

Image

7. Michael Bloomberg

Pasuria neto: 42.1 miliardë dollarë

Mosha: 73

Vendi: SHBA

Industria: Shërbimet financiare

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; “Bloomberg LP”

Michael Bloomberg themeloi kompaninë e tij të të dhënave financiare në vitin 1981, pas një karriere të suksesshme në bankën investuese “Salomon Brothers”. Ai e la kryesimin e kompanisë në vitin 2002 për ta kryer detyrën e kryetarit të qytetit të Nju- Jorkut, ku shërbeu tri mandate. Por, në vend se, pas kësaj, ai të fillonte ta dhuronte pasurinë e vet, ai u rikthye në krye të kompanisë duke e çuar atë në një drejtim krejt të ri. tani ai planifikon që t’i kthehet politikës. Ndoshta si kandidat i pavarur presidencial?

Image

8. Ingvar Kamprad

Pasuria neto: 39.3 miliardë dollarë

Mosha: 89

Vendi: Suedi

Industria: shitje me pakicë

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; “IKEA”

Kur kishte vetëm 17 vjet, Ingvar Kamprad themeloi kompaninë “IKEA”, e cila tani është shitësi më i madh i mobilieve në botë, me shitjet që tejkalojnë shifrën prej 33 miliardë dollarësh. Derisa magnati suedez më nuk është i përfshirë në mënyrë direkte në operacionet vendimmarrëse, ai ende merr pjesë në mbledhje si këshilltar i lartë i bordit mbikëqyrës. Ai bën një jetë tepër modeste, duke fluturuar në klasën ekonomike, duke bujtur në hotele të lira dhe duke vozitur veturën e njëjtë për më shumë se dy dekada.

Image

9. Larry Page

Pasuria neto: 38.5 miliardë dollarë

Mosha: 42

Vendi: SHBA

Industria: teknologji

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; “Google”

Si student i doktoratës në Stanford, në vitin 1998, Larry Page i bashkoi fuqitë me kolegun Sergey Brin, për ta themeluar ‘BackRub’, një motor të hershëm të kërkimeve. Projekti në fjalë më pas u shndërrua në ‘Google’, njërës prej kompanive me rritjen më të shpejtë në botë, e cila tani ka një vlerë prej rreth 500 miliardë dollarësh.

Më pas Page doli në krye të kompanisë “Alphabet”, e cila merret me shumë gjëra, nga automobilat që ecin vetë, e deri te studimet për zgjatjen e jetës së njeriut.

Image

10. Sergey Brin

Pasuria neto: 37 miliardë dollarë

Mosha: 42

Vendi: SHBA

Industria: teknologji

Burimi i pasurisë: E fituar vetë; “Google”

Bashkë me themeluesin tjetër, Larry Page, Sergey Brin ndihmoi në lehtësimin e ristrukturimit të madh të kompanisë “Google”, e cila tani gjendet në kuadër të një kompanie të re holding, që quhet “Alphabet”, ku Brin është president i kësaj kompanie, e Page është shef ekzekutiv.

Brin, i cili kishte emigruar nga Moska në SHBA derisa ishte fëmijë, u lidh me Page-in në vitin 1995 në Stanford, ku që të dy ishin duke kryer doktoratën. Tri vjet më vonë ata themeluan kompaninë ‘Google’, e cila tani është njëra ndër kompanitë më të fuqishme në botë.

Image

(Kosova Sot)