Mbi 35 mijë refugjatë sirianë drejt kufirit turk
Në 24 orët e fundit rreth 35 mijë sirianë janë larguar, çka ka krijuar tension në pikën kufitare me Turqinë, Bab al-Salam. Agjencitë e ndihmave në Turqinë jugore kanë ofruar menjëherë ushqim dhe strehim për ta.
Kështu, ofensiva e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad në veri të Sirisë ka sjellë një tjetër zhvendosje masive të njerëzve që jetojnë atje.
Peter Sutherland, një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara, është shprehur se qëndrimi i Europës ndaj refugjatëve po kërcënon unitetin e aleancës evropiane.
Zyrtari i lartë u shpreh i alarmuar nga rritja e armiqësisë dhe ksenofobisë së politikanëve evropianë ndaj njerëzve që ikin nga lufta dhe persekutimi.
Ndërkohë, zyrtarët e Perëndimit thonë se arsyeja pse ky eksod po thellohet çdo ditë e më shumë është mungesa e një zgjidhjeje politike për krizën.
Për ekspertët, tashmë ka ikur koha kur konflikti sirian shihej si një problem i largët, pasi tani ai ka prekur të gjithë duke krijuar një zinxhir, nga përballimi i mijëra refugjatëve që duan t’i largohen luftës, e deri te frika se në radhët e tyre mund të jenë fshehur terroristë.
(Kosova Sot)