Fahrije Hoti: Peci të kërkojë falje publikisht për shpifjen pasi na ka njollosur

  • A.P /
  • 25 November 2024 - 12:22
Fahrije Hoti: Peci të kërkojë falje publikisht për shpifjen pasi na ka njollosur

Në emër të kooperativës bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti, e cila është një nga 200 gratë e fshatit Krushë e Madhe të Rahovecit që humbën bashkëshortët, djemtë ose të gjithë bashkë gjatë luftës në Kosovë, i kërkoi sot ministrit të Bujqësisë Faton Peci që të kërkojë falje pasi ai tha se “në vitin 2017 Ministria e Bujqësisë e ka paditur znj. Fahrie Hoti përkatësisht Kooperativën Bujqësore KRUSHA dhe i ka kërkuar kthimin e 17,800 eurove që i kishin fituar si grant”. transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Hoti i quajti shpifje këto deklarata të ministrit.

“Ministri Peci ka përmend që zonja Fahrije Hoti është e paditur në Gjykatë. Përkundrazi”, tha ajo.

“Nuk e di ku e ka gjetë atë dosje dhe kërkoj nga ministri bashkë me a që të kërkojë falje për këtë njollosje që ia ka adresu jo veç Fahrijes. Fahrija është individ… Të gjitha gratë e Krushës janë njollos nga ky etiketim që minitri e ka drejtu ndaj neve”, tha Hoti.

Ajo tha se nuk do nuk i dhemb për veten, por për gratë e Krushës që tha se janë njollosur nga ministri.

“Me keqardhje po them prapë, nuk po më dhemb si Fahrije Hoti. Po më dhemb si gratë e Krushës. Kisha kërku prapë nga ministri, nga institucionet, që të mos merren me çështjen e Fahrijes”, tha ajo.

“Ministri na ka njollosë dhe me të vërtetë nuk e fali pa kërkuar falje”, tha Fahrije Hoti. “Le të kërkojë në gjykatë, le të kërkojë në prokurori, ku Fahrije Hoti është e dënuar”.

Edhe pse pranoi se Ministria e Bujqësisë ka refuzuar t’i japë grant korporatës së saj, Fahrije Hoti tha se është e gatshme të bisedojë me të.

“Le të vie, le të ulet, le të bisedojmë. Jam që t’i përgjigjem, edhe pse m’ka refuzu, le të vazhdojnë me më refuzu. Asnjëherë me u dorëzu. Kaq”, tha ajo.

Deri tash, Hoti tha se s’kanë “asnjë kontakt nga zyra e ministrit”, por tha se presin të kenë.

“Ne nuk e dimë arsyen pse jemi refuzu dhe nuk jemi hidhëru pse jemi refuzu”, tha ajo.

Ministria e udhëhequr nga Faton Peci u vu në qendër të kritikave pasi u mor vesh se ndërsa refuzoi t’i japë grant kooperativës së Fahrije Hotit, iu dha nga 100 mijë euro grante vëllait dhe dajës së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

(Kosova Sot Online)