
Osmani në takim lamtumirës me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier

Presidentja Vjosa Osmani në takimin lamtumirës me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ia ka dhuruar një gur të Trepçës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Osmani këtë e përshkroi si një “si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës”. Ajo tha se për këtë mision të Kosovës, Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada.
“Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada”.
Njëkohësisht, Osmani tha se është si simbol i vazhdimit të traditës dhe trashëgimisë së Presidentit Rugova, i cili” vendosi themelet e forta të shtetësisë së Kosovës dhe të miqësisë së përhershme me SHBA-të”.
Për rolin e tij në Kosovë e për ish-presidentin Rugova, Hovenier foli edhe vetë pak më herët gjatë ditës pasi bëri homazhe te shtatorja e tij bashkë me Osmanin.
“Tri vite më parë, pothuajse saktësisht tre vite më parë, në fillim të janarit 2002, erdha në këtë vend. I dorëzova kredencialet e mia Presidentes, dhe akti im i parë zyrtar publik ishte të bashkohesha me Presidenten për të vendosur një kurorë këtu te statuja e ish-Presidentit Rugova. Dhe më dukej shumë e përshtatshme që akti im i fundit zyrtar si ambasador i SHBA në Kosovë të ishte të mbyllja këtë cikël duke bërë të njëjtën gjë”.
Hovenier tha se e ka njohur Rugovën kur ishte “diplomat junior”.
“Pata kënaqësinë ta njihja atë si një diplomat shumë i ri në atë kohë dhe e respektoja jashtëzakonisht shumë. Prandaj, jam shumë krenar dhe i nderuar që mund t’i bëj këtë nder si aktin tim të fundit zyrtar”.
Hovenier në ngjarjen e fundit zyrtare për të në Kosovë falënderoi popullin e Kosovës.
“Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit”.
(Kosova Sot Online)