Rohde: Përparimi i mëtejshëm në dialog është e vetmja rrugë përpara

  • A.P /
  • 13 January 2025 - 07:11
Rohde: Përparimi i mëtejshëm në dialog është e vetmja rrugë përpara

Përparimi i mëtejshëm në dialog është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë drejt Bashkimit Evropian, ka thënë ambasadori gjerman, Jorn Rohde. Ai ka theksuar se vetëm vendet që e njohin njëra-tjetrën mund t’i bashkohen BE-së.

Rohde ka folur për konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkohë që ka nënvizuar se pajtueshmëria e plotë me të gjitha marrëveshjet e bëra është në interesin e vërtetë të të të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

“Në të kaluarën, dialogu solli rezultate thelbësore. Që nga viti 2011, më shumë se 30 marrëveshje janë arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe shumë prej tyre janë zbatuar gjithashtu. Përparimi i mëtejshëm në dialog është e vetmja rrugë përpara drejt rrugës së ardhshme të Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Kjo u bë e qartë edhe nga Këshilli Evropian në takimin e tij më 17 dhjetor 2024, nga presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, komisionarja e re e zgjerimit Marta Kos si dhe nga përfaqësuesja e re e lartë, Kaja Kallas”, ka deklaruar ai në një intervistë për KosovaPress.

Serbia nuk po i përmbush obligimet e saj në dialog, ndërkohë që ka miratuar dy projektligje që cenojnë sovranitetin e Kosovës. Projektligji për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe tjetri për shpalljen e Kosovës “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, janë dy projektligjet për të cilat Gjermania ka deklaruar se shkelin qartazi detyrimet e Serbisë nga dialogu me Kosovën në Bruksel.

“Ministria e Jashtme e Gjermanisë e ka bërë të qartë publikisht se Serbia me këtë qartazi shkel detyrimet e saj në dialog. Në përgjithësi, as Kosova dhe as Serbia nuk janë duke respektuar plotësisht marrëveshjet e tyre përkatëse të dialogut, duke penguar kështu rrugën e tyre të mëtejshme drejt Bashkimit Evropian. Pajtueshmëria e plotë me të gjitha marrëveshjet e bëra është në interesin e vërtetë të të dy vendeve.”


(Kosova Sot Online)