Mark Rutte, do ta vizitojë Kosovën

  • A.P /
  • 06 March 2025 - 08:53
Mark Rutte, do ta vizitojë Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka konfirmuar se Shefi i NATO-s. Mark Rutte, do ta vizitojë Kosovën. Duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite, Osmani ka nënvizuar se stabiliteti në Kosovë është faktor kyç për sigurinë e gjithë rajonit. Njohës të çështjeve të sigurisë, vlerësojnë se vizita të tilla flasin për vazhdimësi të mbështetjes së NATO-s për Kosovën, ndërsa sipas tyre edhe Kosova duhet ta dëshmojë se vazhdon të jetë partner strategjik i saj por veçanërisht SHBA-ve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zyra e Presidencës, tha se gjatë takimit të presidentes Osmani me komandantin e KFOR-it në Kosovë kanë konstatuar se Evropa është duke u përballur me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike, e cila sipas saj kërkon edhe koordinim të plotë mes partnerëve strategjik.

“Presidentja Osmani po ashtu theksoi se kontinenti ynë po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të përhershëm me aleatët tanë. Në takim u diskutua gjithashtu për koordinimin e aktiviteteve në prag të vizitës së paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite si dhe rëndësinë e rolit të NATO-s për paqe e siguri në vendin tonë”, tha Presidenca.

Gjatë vizitës në Kosovë, Rutte do të jetë i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s.

(Kosova Sot Online)