Dehari, ka njoftuar për ndërprerjen e seancës konstituive

  • A.P /
  • 15 April 2025 - 12:49
Dehari, ka njoftuar për ndërprerjen e seancës konstituive

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka njoftuar për ndërprerjen e seancës konstituive të sotme pasi nuk u votua raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Shërbimi i deputetëve vërteton se në sallë janë 119 deputetë, por për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i Komisionit në seancë nuk mori votat e mjaftueshme për, në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si të do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Deputetët e LVV-së dhe të Nismës Socialdemokrate kanë votuar për raportin. Kundër ishin ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“52 deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon”, tha Dehari më herët.

(Kosova Sot Online)