Pasi një person ua bën shqiponjën maturantëve serbë në veri, ndërhyn policia

  • A.P /
  • 23 May 2025 - 16:01
Pasi një person ua bën shqiponjën maturantëve serbë në veri, ndërhyn policia

Politikani serb, Aleksandar Arsinijeviq, ka publikuar një video nga sheshi “Car Lazar” në Mitrovicën e Veriut, ku pretendon se disa maturantë të komunitetit serb janë provokuar nga një qytetar shqiptar, i cili, sipas tij, ka bërë simbolin e shqiponjës dykrenore në drejtim të tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në pamjet e publikuara, shihet ndërhyrja e Policisë së Kosovës e cila, për të shmangur tensionet, kërkon që të mos ketë provokime nga asnjëra palë. “Jo provokime”, dëgjohet duke thënë një zyrtar policor në drejtim të një të riu serb.

Por Arsinijeviq ka akuzuar Policinë se ka ndërhyrë ashpër ndaj maturantëve serbë, duke pretenduar se njëri prej tyre është kapur për fyti dhe është arrestuar.

“Derisa maturantët, si çdo vit, festonin përfundimin e shkollës në shëtitoren e Mitrovicës së Veriut, disa turistë nacionalistë nga kafenetë shqiptare në fund të shëtitores i provokuan me shqiponja dykrenore dhe fyerje. Gjithçka është e kapur në video. Në vend që të mbronte fëmijët tanë, policia iu vërsul maturantëve, arrestoi dhe kapi për fyti një të ri që po festonte diplomimin, si gjithë bashkëmoshatarët e tij në botë. E dënojmë ashpër këtë sjellje dhe dhunë institucionale ndaj fëmijëve serbë”, ka deklaruar Arsinijeviq.

Policia e Kosovës deri më tani nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare për incidentin. Ngjarja ndodh në një kohë të ndjeshme për sigurinë në veri të vendit, ku tensionet etnike mes komuniteteve shpesh shpërthejnë edhe për incidente simbolike.

(Kosova Sot Online)