Mexhiti mohon përfshirjen në ofertën për Duda Baljen

  • A.P /
  • 30 May 2025 - 08:39
Mexhiti mohon përfshirjen në ofertën për Duda Baljen

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka mohuar kategorikisht përfshirjen në çështjen e ngritur nga deputetja Duda Balje, e cila ka deklaruar se i është ofruar një pozitë profesoreje në Shkup në këmbim të votës për ministren Albulena Haxhiu, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Mexhiti ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me këtë rast dhe se hera e fundit që ka takuar deputeten Balje ka qenë gjatë zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Deklaratat e tij vijnë pas akuzave të ngritura nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se figura nga koalicioni VLEN – duke përmendur edhe Mexhitin – kanë kontaktuar me deputetin Adem Hoxha, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Haradinaj ka shprehur shqetësimin për atë që e ka quajtur ndërhyrje të koordinuar politike nga Maqedonia e Veriut në proceset vendimmarrëse në Kosovë.

Mexhiti ka hedhur poshtë çdo akuzë, duke e cilësuar të pavërtetë dhe të pabazë përfshirjen e tij në këtë situatë.

(Kosova Sot Online)