Trump do ta 'çlirojë' Los Angelesin me ushtri

  • A.P /
  • 11 June 2025 - 12:26
Trump do ta 'çlirojë' Los Angelesin me ushtri

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vazhduar të mbështesë vendimin e tij për të dërguar Gardën Kombëtare dhe Marinsat në Los Angeles, duke thënë se do të “çlirojë” Los Angelesin nga dhuna e protestuesve, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Megjithatë, sipas Reuters, banorët e Little Tokyo – një lagje që është goditur më fort nga trazirat e shkaktuara ditëve të fundit, i kanë thënë: “Jo faleminderit, zoti President.”

Dhjetëra banorë, punonjës dhe frekuentues të kësaj lagjeje, ku gjuha japoneze flitet po aq sa anglishtja në dyqane dhe restorante, kanë thane për Reuters të martën se përdorimi i ushtrisë nga Trump po e përkeqësonte situatën dhe po i ndizte më shumë protestat kundër kontrolleve të fundit të emigracionit në Los Angeles.

Kujtojmë se administrata Trump thotë se bastisjet ndaj emigrantëve synojnë persona që janë “de facto” kriminelë për shkak se nuk kanë dokumentacionin e duhur për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, poashtu ka shtuar se përdorimi i ushtrisë në përballjen me protestat “ka ndezur një situatë të rrezikshme” dhe ka paralajmëruar se “demokracia është në sulm.” Veprimet e Trump, janë parë edhe nga kryetarja e bashkisë së Los Angelesit, si “një përpjekje e qëllimshme për të krijuar kaos.”

Megjithatë, administrata Trump i ka mohuar me forcë akuzat, duke thënë se ndërhyrja ushtarake ishte e nevojshme përballë paaftësisë së liderëve vendorë dhe shtetërorë për të vënë nën kontroll situatën.

(Kosova Sot Online)