
Irani po afrohet me Kinën

Lufta me Izraelin, muajin e kaluar, shkatërroi një pjesë të madhe të udhëheqjes ushtarake të Iranit, dobësoi mbrojtjen e tij ajrore dhe tregoi se sa e brishtë ishte forca e tij, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Brenda pak ditësh, Izraeli arriti epërsi ajrore, duke hapur rrugë edhe për sulmet ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Republikës Islamike.
Por lufta, njëherësh, testoi edhe kufijtë e aleancës së Iranit me Rusinë, e cila ofroi pak më shumë sesa mbështetje diplomatike për Teheranin, gjatë konfliktit 12-ditor.
Tani, me pak besim te Moska, Teherani po përpiqet të forcojë mbrojtjen e tij, duke kërkuar ndihmë nga Kina, me shpresën se do t’i ofrojë armë moderne.
Megjithatë, ai po përballet me pengesa dhe skepticizëm – gjë që nxjerr në pah opsionet e tij të kufizuara dhe thellësinë e izolimit të tij strategjik.
Rusia, partnere strategjike vetëm në letër
Pavarësisht një marrëveshjeje për partneritet strategjik, të nënshkruar së voni, dhe viteve të bashkëpunimit të ngushtë, mbështetja e Rusisë për Iranin gjatë kësaj krize ishte kryesisht retorike.
Siç shkroi gazeta reformiste Shargh, “kjo aleancë, në momente kritike, bazohet më shumë në interesa të ndryshueshme, sesa në angazhime të palëkundura”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i dënoi sulmet amerikane, duke i përshkruar si “të pajustifikuara”.
Ai bëri thirrje për dialog, por nuk u zotua për ndihmë ushtarake.
Kremlini këmbënguli se marrëveshja e partneritetit nuk ka dispozita për ndihmë ushtarake në kohë lufte.
(Kosova Sot Online)