Mbretëria e Bashkuar drejt njohjes së Palestinës

  • A.P /
  • 30 July 2025 - 11:00
Mbretëria e Bashkuar drejt njohjes së Palestinës

Në një ndryshim të fundit, të madh, në politikën britanike, kryeministri Keir Starmer ka deklaruar se Britania e Madhe mund të njohë shtetin palestinez që në shtator, për herë të parë duke vendosur kushte konkrete për Izraelin dhe Hamasin. Por pse erdhi ky hap pikërisht tani dhe çfarë do të thotë kjo njohje?

Downing Street konfirmoi se Starmer do të vendosë për masën në të cilën Izraeli dhe Hamasi i kanë përmbushur kushtet e tij përpara se të marrë një vendim përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator. Dhe kjo është hera e parë që qeveria britanike vendos kushte dhe një afat kohor për njohjen e shtetit palestinez.

The Guardian ka publikuar një artikull shpjegues për këtë vendim të Mbretërisë së Bashkuar.

Çfarë do të thotë njohja e Palestinës?

Njohja është një hap simbolik, por politikisht i fuqishëm, që do të shkaktonte zemërim të madh në qeverinë izraelite, e cila argumenton se një hap i tillë do të inkurajonte Hamasin dhe do të shpërblente terrorizmin.

Në thelb, njohja është një pranim politik i të drejtës së palestinezëve për vetëvendosje – pa hyrë në çështje të ndërlikuara si kufijtë ose kryeqyteti.

Njohja do të lejonte krijimin e marrëdhënieve të plota diplomatike, që do të sillte një ambasador palestinez në Londër dhe një ambasador britanik në Palestinë. Sipas mbështetësve të këtij vendimi, kjo mund të ringjallë një proces politik drejt zgjidhjes me dy shtete.

Dihet se nga 193 shtetet anëtare të OKB-së, rreth 140 e njohin tashmë Palestinën si shtet – përfshirë Kinën, Indinë, Rusinë, si dhe shumicën e vendeve evropiane si Qipro, Irlanda, Norvegjia, Spanja dhe Suedia. Por deri të enjten, kur Franca njoftoi se do ta njihte Palestinën, asnjë vend i G7-s nuk kishte marrë një vendim të tillë.

Pse erdhi ky vendim pikërisht tani?

Dy faktorë ndërkombëtarë dhe një presion i fortë i brendshëm kanë ndikuar në kohën e këtij vendimi nga Starmer, shkruan The Guardian.

Presidenti francez Emmanuel Macron nisi procesin javën e kaluar, kur deklaroi se Franca do ta njihte Palestinën në shtator në OKB. Starmer tani ka vendosur të njëjtin afat, por ndryshe nga Macron, ai ka vendosur kushte për Izraelin dhe Hamasin.

Faktori tjetër ndërkombëtar ishte “miratimi i heshtur” i Donald Trump. I pyetur nëse Starmer duhet të dorëzohet përballë presionit për ta njohur Palestinën, presidenti amerikan u përgjigj: “Nuk do të marr qëndrim, nuk më shqetëson nëse ai merr një qëndrim. Tani për tani, më shqetëson ushqimi i njerëzve.”

Reagimi i Trump ndaj njoftimit të Francës ishte po ashtu i vakët – tha se qëndrimi i Macron “nuk ka rëndësi” dhe “nuk ka peshë”.

Ndërsa Starmer, i cili është shprehur i tmerruar nga pamjet e urisë në Gaza, përballet gjithashtu me presion të madh të brendshëm. Disa prej ministrave më të rëndësishëm të kabinetit të tij – përfshirë Angela Rayner dhe Yvette Cooper – e mbështesin njohjen e menjëhershme.

E edhe ministra të tjerë me ndikim, si Wes Streeting dhe Shabana Mahmood, e kanë ngritur çështjen në mbledhje të kabinetit. Më shumë se 250 deputetë nga të gjitha partitë kanë nënshkruar një letër që kërkon njohje të menjëhershme, përfshirë më shumë se një të tretën e deputetëve të Partisë Laburiste.

Sondazhet kanë treguar se edhe publiku është pro një veprimi të tillë. Në një sondazh të kryer nga Survation për llogari të kompanisë Ecotricity (themeluar nga donatori laburist Dale Vince), 49% e të anketuarve thanë se Britania duhet ta njohë Palestinën si shtet, krahasuar me vetëm 13% që ishin kundër.

Cilat janë detajet e planit?

Një deklaratë zyrtare e qeverisë, e lëshuar të martën në mbrëmje, tha se Britania do ta njihte Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së përveç nëse: Izraeli pranon një armëpushim, angazhohet se nuk do ta aneksojë Bregun Perëndimor dhe merr hapa konkretë për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza, përfshirë lejimin e ndihmës nga OKB-ja.

Në thelb, kjo kërkon që Izraeli të ringjallë idenë e një zgjidhjeje me dy shtete – një ide që kryeministri Benjamin Netanyahu e ka refuzuar vazhdimisht.

Qeveria britanike ka përsëritur gjithashtu kërkesat ndaj Hamasit që të lirojë të gjithë pengjet, të pranojë një armëpushim të menjëhershëm, të çarmatoset dhe të pranojë se nuk do të ketë rol në qeverisjen e Gazës.

Starmer do të vlerësojë në shtator se në çfarë mase të dyja palët – Izraeli dhe Hamasi – i kanë përmbushur këto kushte.

Përtej njohjes, qeveria ka bërë të ditur  se po punon me aleatët për një “plan paqeje të besueshëm”, që përfshin qeverisje kalimtare dhe marrëveshje sigurie në Gaza, tërheqjen e forcave izraelite dhe largimin e drejtuesve të Hamasit – si hapa drejt një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete.

Kush tjetër mund ta njohë shtetin palestinez?

Deklarata e qeverisë britanike hap rrugën që Britania dhe Franca të njohin së bashku Palestinën në shtator.

Por, edhe disa vende të tjera po marrin pjesë në bisedimet e OKB-së mbi këtë çështje, të ndërmjetësuara nga Franca dhe Arabia Saudite në New York. Franca pret që disa vende arabe të dënojnë Hamasin dhe të kërkojnë çarmatosjen e tij për herë të parë, për të inkurajuar më shumë shtete evropiane të bashkohen në njohjen e Palestinës.

Vendet evropiane që ende nuk e kanë njohur Palestinën mund të rishikojnë qëndrimin e tyre në javët e ardhshme – qeveria belge ka thënë se do të vendosë në shtator.

Ndërkohë, disa vende, si Gjermania dhe SHBA, kanë deklaruar se do ta njohin një shtet palestinez vetëm si pjesë e një zgjidhjeje afatgjatë politike për konfliktin në Lindjen e Mesme.

(Kosova Sot Online)