Populli i Kosovës nuk duhet t’i lejojë vetes të bëhet pjesë e lojërave të tilla të çmendura partiake

Populli i Kosovës nuk duhet t’i lejojë vetes të bëhet pjesë e lojërave të tilla të çmendura partiake
Populli i Kosovës nuk duhet t’i lejojë vetes të bëhet pjesë e lojërave të tilla të çmendura partiake

Gani Qarri

  • 14 March 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Argumenti bindës se ende nuk ishin konsumuar tri raundet e parapara me ligj të votimit parlamentar për zgjedhjen e presidentit dëshmon se vendimi i njëanshëm i zonjës Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, në këtë fazë të procesit, përveçse nuk ishte i drejtë, u dëshmua se nuk ishte as kushtetues.

 

-Prandaj, duke pasur parasysh se po nëpërkëmbet kaq brutalisht vullneti i sovranit nga të gjitha partitë politike, përfshirë edhe presidenten e vendit, duke luajtur publikisht me votën e lirë të qytetarit, nëse edhe Gjykata Kushtetuese bëhet pjesë e lojërave të partive politike dhe vetëm 3–4 muaj pas votimeve të 28 dhjetorit shpall shkuarjen në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, populli i Kosovës duhet t’i bojkotojë masovikisht ato dhe të mos marrë fare pjesë në votime, në mënyrë që të mos lejojë më të keqpërdoret vota e tij për aventurat e çmendura të partive politike.

Shto gjithë kësaj faktin shumë domethënës se edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të dekretit të Presidentes Osmani për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, në situatën aktuale politike as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve dhe çështja e postit të presidentit të vendit mbetet sërish e pazgjidhur. Unë nuk shoh asnjë arsye të vetme që vetëm për kapriçot e presidentes të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Kështu që populli i Kosovës, të paktën kësaj radhe, nuk duhet t’i lejojë vetes të bëhet pjesë e lojërave të tilla të çmendura partiake, të cilat tash e mbi një vit po zhvillohen në mënyrë të pakuptueshme nga kasta e degjeneruar politike në Kosovë; përndryshe, lojërave të dyshimta të partive aktuale politike nuk do t’u dihet as shihet fundi.

Duke qenë se, sipas ligjit në fuqi, shpërndarja e Kuvendit parashihet të ndodhë vetëm pasi të konsumohen tri raunde të votimit dhe nëse që të tria dështojnë për zgjedhjen e presidentit, realisht skenari i afatit 60-ditor i përmendur nga Kurti për zgjedhjen e presidentit mund të përdorej për të shmangur ngërçet e reja politike dhe bllokadën e mundshme institucionale. Prandaj konsideroj se dekreti kundërkushtetues i Vjosa Osmanit, përveçse ishte i nxituar, e ka rënduar edhe më tepër gjendjen politike në vend, duke bllokuar në tërësi edhe punën e Kuvendit si organi më i lartë legjislativ i shtetit.

Prandaj, në mënyrë që të mos kemi kriza të reja dhe përsëritje të ngërçeve e bllokadave të vazhdueshme politike, vendimin përfundimtar për shkuarje apo jo në zgjedhje të reja të parakohshme duhet ta japë në mënyrë profesionale dhe tërësisht të paanshme vetë Gjykata Kushtetuese, tek e cila janë deponuar edhe lëndët për këtë çështje. Sepse jo vetëm zgjedhja e presidentit, por pikërisht dekreti i pavend dhe plotësisht kundërkushtetues për shpërndarjen e Kuvendit nga zonja Osmani e ka komplikuar shumë më tepër edhe gjetjen e zgjidhjes së çështjes së votimit të presidentit. Pa vendimin e Gjykatës Kushtetuese, parlamenti mbetet i bllokuar dhe, për pasojë, nuk mund të marrë asnjë veprim për votimin e presidentit të ardhshëm.

Kështu që, siç është shprehur edhe z. Kurti, duke qenë se dekreti i zonjës Osmani u shpall pa u konsumuar as raundi i parë i votimit për zgjedhjen e presidentit, tanimë ndodhemi në një situatë ku nuk mund të vendosë askush për zgjedhje të reja pa u shprehur vetë Gjykata Kushtetuese. Përkundër dekretit misterioz dhe kundërkushtetues të saj, i cili në mënyrë të njëanshme shpalli të shpërndarë Kuvendin e formuar pas më shumë se një viti ngërçesh politike dhe bllokadash institucionale, Kuvendi i ri nuk i ka ende as një muaj që është konstituuar dhe vënë në funksion të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Duke qenë se neni 86 i Kushtetutës e thotë qartë se Kuvendi mund të shpërndahet vetëm atëherë kur procedura ka kaluar edhe raundin e tretë të votimit dhe kandidati i propozuar për president të vendit nuk i ka marrë 61 votat e nevojshme të shumicës së thjeshtë, para se të shkohet në zgjedhje të reja, plotësisht të panevojshme, Gjykata Kushtetuese duhet ta zhbllokojë Kuvendin dhe t’u japë mundësinë deputetëve që ta shfrytëzojnë afatin e paraparë ligjor prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Kjo do të mundësonte parandalimin e ngërçeve të reja dhe mënjanimin e përsëritjes së bllokadave institucionale.

Megjithatë, për të pasur sukses në këtë drejtim është i nevojshëm konsensusi politik, qoftë për zgjedhjen e presidentit me votat e deputetëve në Kuvend, apo për miratimin e amendamenteve kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli i Kosovës, para se vendi të çohet me kaq nxitim në zgjedhje të reja, vetëm pak kohë pasi doli nga një ngërç i gjatë më shumë se njëvjeçar politik dhe vetëm 3–4 muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".