Ja çka tha Sorensen pas vizitës në Prishtinë

  • A.P /
  • 07 August 2025 - 14:00
Ja çka tha Sorensen pas vizitës në Prishtinë

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi dje për vizitë në Kosovë, vizita e tretë zyrtare e tij që kur ka marrë postin e ndërmjetësit evropian në dialog, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sorensen në Kosovë pati takime fillimisht me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe pastaj me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti,

Emisari evropian dhe se me Kurtin dhe Osmanin ka diskutuar lidhur me implementimin e marrëveshjeve të arritura.

Sorensen ka paralajmëruar vonesa në dialog, shkaku i ngërçit institucional në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

“Sapo pata takim me kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si t’i implementojmë marrëveshjet, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë Sorensen, para gazetarëve.

Në fund të ditës së djeshme Sorensen i bëri një përmbledhje në “X” të krejt takimeve të tij dhe përkufizoi porosinë që e la në serinë e takimeve të tij: se Marrëveshja e Ohrit është e gjallë dhe se zbatimi i saj “tash, më urgjent se kurrë”.

“Vizitë produktive sot në Kosovë. Në të gjitha takimet që pata, theksova nevojën urgjente për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, tash më shunë se kurrë. Rruga për integrimin në Bashkimin Evropian shkon përmes përparimin kuptimplotë në dialog. Koha për të shkuar para”, shkroi Sorensen.

Presidenca e Kosovës  ka thënë se presidentja Osmani gjatë takimit ka kërkuar heqjen e masave, teksa kanë folur edhe për konstituimin e Kuvendit, si dhe arrestimet arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga Serbia.

“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sa i përket dialogut, Osmani ka kërkuar proces të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi.

“Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve”.

Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, e që sipas saj duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian.

“Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme”.

Ndërkaq, ZKM-ja tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin me Sorensen diskutoi për zhvillimet në vend, për gjendjen e komuniteteve joshumicë, në veçanti të komunitetit joshumicë serb, dhe për rrugën drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

“Kryeministri e njoftoi emisarin Sørensen me mbështetjen financiare që i është dedikuar ndër vite komunave me shumicë serbe, me theks ato në veri të vendit, dhe me rezultatet e politikave të punësimit dhe hapjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në katër komunat në veri të vendit. Atje, që nga prilli i vitit 2024, mbi 800 qytetarë të këtyre komunave kanë gjetur punë përmes programit qeveritar “Qeveria për Familjet” dhe mbi 430 biznese të reja janë regjistruar në po këto komuna nga 1 janari i vitit të kaluar. Kryeministri gjithashtu e theksoi faktin se që prej dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në nëntor 2022, rreth 200 policë të rinj nga komuniteti joshumicë serb, tashmë i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe po i shërbejnë qytetarëve të vendit, pa dallim. Ai shtoi se nuk është shënuar asnjë incident ndërmjet punëtorëve shqiptarë dhe atyre serbë në këto dy vitet e fundit, qoftë në kompanitë private, ku punojnë bashkë, qoftë në institucionet publike, ku u shërbejnë bashkë qytetarëve të këtyre komunave, duke dëshmuar kështu, që qasja dhe veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve tjera shtetërore janë në funksion të integrimit të qëndrueshëm të komunitet joshumicë serb”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, Kurti ngriti shqetësimin e tij me emisarin Sørensen në lidhje me deklaratat e vazhdueshme kërcënuese të krerëve të Serbisë ndaj Kosovës dhe arrestimet arbitrare të qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë udhëtimit tranzit përmes Serbisë nga autoritetet serbe, ndaj të cilëve kërkoi reagim të zëshëm dhe dënues nga komuniteti ndërkombëtar.

Kjo është vizita e tretë Peter Sorensen në Kosovë që nga emërimi i tij si përfaqësues i posaçëm i BE-së.

Gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë në mars, Sorensen kishte thënë se prioritet për të ishte të caktonte takime mes dy shteteve.

Takimi i fundit në Bruksel i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte zhvilluar më 17 dhjetor të vitit të kaluar.

(Kosova Sot Online)