Rohde: Më mirë do të ishte që të zgjidheshin 'tollovitë' në Vushtrri sesa të ndërtohen dy ura

  • A.P /
  • 18 August 2025 - 09:17
Rohde: Më mirë do të ishte që të zgjidheshin 'tollovitë' në Vushtrri sesa të ndërtohen dy ura

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka pyetur se a është koha të ndërtohen ura shtesë në Ibër, në një kohë kur sipas tij, duhet shtensionim i situatës dhe jo tensionim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Rohde tha se së shpejti janë zgjedhjet lokale dhe se klima politike po ngrohet, teksa shtoi se më mirë do të ishte që të zgjidheshin problemet e trafikut në hyrje të Vushtrrisë sesa të ndërtoheshin dy ura të reja në Ibër.

“Pra, çfarë dua të them, kur shkuam në Mitrovicë, e dini rrugën, do të thosha se do të ishte më e rëndësishme që të zgjidheshin tollovitë në qarkullim rrugor që ndodhin çdo ditë që ndodhin për rreth Vushtrrisë sesa të ndërtohen dy ura. Kjo do të ishte e rëndësishme për ta lehtësuar trafikun”.

“Me siguri KFOR-i në shumë raste ka deklaruar se mjedisi nuk është i duhur. Të gjithë ne e kemi qëllimin për ta hapur urën, nuk ka ndodhur por nëse klima nuk është e duhur për ta hapur një urë, a është e duhura për t’i hapur dy ura? Do ta shohim. E fundit që të gjithë duan të shohin janë më shumë veprime të KFOR-it në veri”, tha Rohde në një intervistë.

Tutje, ai foli edhe për vizitën e drejtorit për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, duke thënë se mesazhi kyç i vizitës ishte që Kosova t’i kryej punët e saj dhe t’i themelojë institucionet.

“Dua të them që vizita erdhi në një kohë të duhur dhe siç edhe e kemi thënë publikisht pas vizitës mesazhi kyç ishte që Kosova është pa një qeveri funksionale dhe pa kuvend tashmë për 6 muaj, kryeni detyrat e shtëpisë dhe bëjeni sepse kjo krizë kushtetuese që po vazhdon ende është në kundërshti me vullnetin e popullit. Nuk mund të keni një partner real nëse nuk ka numër të duhur nga ana tjetër”, tha Rohde .

(Kosova Sot Online)