
Mustafa: Të vetmit që kanë të drejtë ta thërrasin veten ‘LDK-ist’ e ‘rugovistë’ janë ata që qëndruan besnikë

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i është përgjigjur deputetit nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, Faton Peci, i cili duke folur për bashkëkryetaren e këtij subjekti, Donika Gërvalla, kishte thënë se ajo është më LDK se ata që janë aktualisht në LDK, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Po ta marrim në gjenezë, Donika është më LDK se këta që aktualisht janë në LDK-në e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku”, kishte thënë Peci.
Kësaj deklarate iu përgjigj sot Mustafa para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
“Të vetmit që kanë të drejtën politike, morale dhe çfarëdo tjetër që ta thërrasin veten ‘LDK-ist’ e ‘rugovistë’ janë ata që i kanë qëndruar besnikë LDK-së dhe askujt tjetër”.
Ai po ashtu bëri me dije se partia e tij edhe në këtë seancë shkon me qëndrimin e njëjtë.
“Qëndrimi i LDK-së është ai që ka qenë. Nuk voton një kandidat me partinë e të cilit nuk ka ndonjë marrëveshje politike paraprake. Është shumë e thjeshtë, shumë e qartë”.
Mustafa tha se “do të shohim nëse Vetëvendosje është e gatshme të gjejë një kompromis, një rrugë të përbashkët me partitë tjera parlamentare”.
(Kosova Sot Online)