
KQZ merr një vendim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po mban sot mbledhjen e radhës në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
KQZ në këtë mbledhje ka marrë disa vendime:
– Miratimi i programit për Trupat Menaxhuese të Zgjedhjeve dhe stafin zgjedhor për Zgjedhjet Lokale 2025 – Ky program do të përfshijë mijëra persona të cilët do të angazhohen në procesin zgjedhor, përfshirë ditën e zgjedhjeve, siç janë: trajnerët; anëtarët e Këshillave të Vendvotimit; anëtarët e ekipeve mobile për votimin e personave me nevoja të veçanta; numëruesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Programi i trajnimit ka për qëllim pajisjen me njohuri të stafit që do të angazhohet në zgjedhje për të gjitha procedurat e votimit dhe numërimit në vendvotim; votimin me kusht; votimin e personave me nevoja të veçanta, procedurat e numërimit në QKN; procedurat për paketimin e materialit zgjedhor.
– Miratimi i procedurës për Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VPNV) – Ky udhëzuesi synon lehtësimin dhe garantimin e të drejtës kushtetuese për të votuar për të gjithë qytetarët pa përjashtim dhe ka për qëllim të përcaktojë mënyrën e regjistrimit, evidentimit dhe votimit të Peronave me Nevoja të Veçanta, të cilët nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre. Udhëzuesi përshkruan në detaje procesin dhe përgjegjësitë e Këshillit të Votimit të Ekipit Lëvizës, duke siguruar një proces zgjedhor transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje të plotë me standardet ligjore dhe rregulloret zgjedhore në fuqi.
Largimi nga lista votuese e personave të vdekur – KQZ mori vendim për largimin e 1,514 personave, të cilët në ditën e zgjedhjeve do të kenë moshën 95 vjeç ose më shumë. Të gjithë këta persona janë pjesë e një liste të verifikuar se kanë ndërruar jetë. Procesi i verifikimit është realizuar nga Zyrtarët Ekzekutiv të KQZ në komuna të ndryshme të Kosovës.
(Kosova Sot Online)